Skandali i futbollit kolumbian, zbulohet truku i Atletiko Bukaramangës!

Shpeshherë dëgjojmë shprehjen klasike që “një ndeshje vendoset nga episodet”. Sidomos në ndeshjet me eliminim direkt, ku nuk ke mundësi të gabosh. Në futboll ekzistojnë truke nga më të ndryshmet dhe faktori fushë është gjithmonë i rëndësishëm, sidomos në aspektin psikologjik.

Ka nga ata që lagin fushën më tepër seç duhet, të tjerë nxisin tifozët të japin maksimumin në shkallë për të iua “nxirë jetën” kundërshtarëve, por ka dhe nga ata që arrijnë në përdorimin e “armëve kimike”.

Një rast i tillë dhe tepër i veçantë na vjen nga futbolli kolumbian. Luhej ndeshja e kthimit e fazës çerekfinale të “play-off”-eve të kampionatit kolumbian. Atletiko Bukaramanga priste Independiente Medelinin, ndërkohë që miqtë kishin fituar ndeshjen e parë me rezultatin 3-0.

Vendasit besonin te kualifikimi dhe nuk ia dolën për fare pak. Ndeshja u mbyll me fitoren 2-0 të Atletikos, por çfarë vuajtje për ekipin nga Medelini. Siç citon “Marca”, vendasit kishin përgatitur kurthin për kundërshtarët. Spërkatje e dhomave të zhveshjes me disa substanca, që i dhanë një aromë tepër bezdisëse ambientit.

“Kur mbërritëm në dhomat e zhveshjes, kishte një erë të çuditshme kimike, që filloi të na shqetësonte. Dikujt filluan t’i digjnin sytë, të tjerët kishin probleme me frymëmarrjen. I kërkuam këshilla mjekut dhe i thamë që do të dilnim jashtë për të bërë nxehje, sepse ishte e pamundur të qëndroje aty”, tregon sulmuesi i Independientes, Leo Kastro.

Pas hetimeve të kryera është zbuluar misteri që kishte ndodhur. Në dhomat e zhveshjes së miqve në stadiumin “Estadio Alfonso Lopez”, kishte patur kamfur me shumicë. Kjo substancë përdoret për qëllime mjekësore, por problemi është nëse e thith në sasi të madhe.

Një gjë e tillë shkakton simptoma mjaft serioze si: konvulsion, konfuzion, nervozizëm, hiperaktivitet, halucinacione, marrje mendsh dhe vjellje. Pavarësisht kësaj, ekipi nga Medelini qëndroi stoik dhe arriti të mbronte fitoren e ndeshjes së parë dhe kualifikuar më tej, ndërsa Atletiko Bukaramanga rrezikon shumë për veprimin e bërë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *