Skandali në Spanjë, “paraja bën gjithçka, e ndjeva trukimin!”

0

Rrëfimi i portierit shqiptar Alesio Abibi, i cili aktivizohet me Eldensen, skuadra që është përfshirë në skandalin e madh të trukimeve në kategorinë e tretë spanjolle…

Intervistoi: Anton Cicani

Qyteza e Eldës (zonë e pavarur e krahinës së Valencias, afër Alikantes), me një popullsi prej 55 mijë banorësh, ditën e diel u zgjua me një lajm të tmerrshëm: skuadra e qytetit, Eldense, akuzohej për trukim në sfidën ndaj Barcelonës B. E sikur të mos mjaftojë fakti që skuadra e qytetit kishte prerë biletën për në kategorinë e katërt, tashmë duket se do të mbetet edhe turpi. Ai turp tek i cili s’do të bëjë pjesë Alesio Abibi, portieri shqiptar i lindur dhe rritur në Itali, që shkurtin e këtij viti u transferua në Spanjë, pikërisht te skuadra valenciane. Mendoi se mund të kishte më shumë fat, por tani e gjen veten mes një vorbulle nga e cila dëshiron të dalë sa më shpejt dhe në një intervistë ekskluzive për “Sport Ekspres” rrëfen gjithçka…

Përshëndetje. Në Spanjë ka shpërthyer skandali për trukime dhe ekipi i përfshirë është ai ku aktivizoheni ju, pra Eldense. Duke qenë se mbroni portën, edhe pse nuk jeni titullari i skuadrës, si u ndjetë pas asaj humbje të turpshme 12-0 ndaj Barcelonës B?

Po, e vërtetë që jam portieri i dytë i skuadrës, por më duhet të them që atë pasdite nuk isha as në stol, pasi isha larguar për arsye të miat…

Një shok skuadre i yti (Sheik Sadi) ka denoncuar faktin dhe ka akuzuar disa lojtarë, duke mos përmendur emra për momentin, por sigurisht duke mbajtur një qëndrim të fortë… Sa të ka tronditur kjo histori?

Sigurisht që askush nuk e priste, por tani për të sqaruar këtë çështje janë duke u marrë organet kompetente këtu në Spanjë, ku ka dyshime edhe për shumë ndeshje të tjera

Eshtë folur edhe për disa investitorë italianë, që janë të përfshirë në këtë skandal për shitje ndeshjesh… Çfarë keni dëgjuar, ose më saktë, dini rreth tyre?

Di, ashtu si ju, që janë të akuzuar, por s’ka asgjë të sigurt dhe flitet vetëm me aludime, dyshime dhe hipoteza. Janë fjalët ato që kanë përfshirë këtë histori. Të shohim… E vetmja gjë që mund të them është se këtu vërtitet gjithçka rreth parasë. Kjo është edhe arsyeja se pse nuk jam duke u aktivizuar dhe sepse është krijuar e gjithë kjo rrëmujë.

A mendon se ka vepruar drejt shoku yt i skuadrës që ka akuzuar këtë fakt dhe ka dalë hapur?

Sheik ka vepruar ashtu siç duhet të veprojë secili nga ne, si një profesionist i vërtetë.

Pas kësaj që ka ndodhur, do të kthehesh në Itali, aty ku je rritur profesionalisht dhe të jeton familja?

Nuk e di, kam kontratë deri në qershor, më pas të shohim…

Po nëse do të jepej mundësia do të vije në Shqipëri?

Kam qenë i grumbulluar në shumë raste me moshat, por më duhet të jem i sinqertë se futbollin shqiptar nuk e njoh edhe aq mirë.

Ke kaluar në disa grupe moshash kuqezi, apo jo?

Po, sigurisht. Kam qenë te U-17, U-18 dhe U-19, për tre vjet.

Në Spanjë shpesh ka pasur zëra për tolerime dhe trukime në kategorinë e ulëta… Nga përvoja jote, edhe pse disa mujore, janë thjesht aludime, apo ke dalluar se diçka nuk shkon vërtet. Flas për kundërshtarët apo mënyrën e interpretimit të garës?

Nuk e di të them… Por, kishim dyshime edhe te ndeshja përpara asaj ndaj Barcelonës B. Për mua është viti i parë në Spanjë, pasi kam luajtur vetëm në Itali që në moshë të re.

Kur nisën zërat e parë apo dyshimet se diçka po ndodhte?

Dolën vetëm fjalë, por nuk ishte asgjë e sigurt. Por, të shtunën ato fjalë dhe aludime u kthyen në realitet…

Shoku yt i skuadrës, pra Sad, u shpreh se ka edhe ndeshje të tjera, jo vetëm ajo ndaj Barcelonës. Je dakord?

Të gjithë kishim dyshime edhe dy ndeshje më parë, nëse s’gaboj sfida ndaj Kornelias, e humbur 3-1 jashtë fushës

Sheik pohoi dhe se me aq para sa janë fituar, lojtarët mund të blinin apartamente në Barcelonë… Sa e besueshme është?

Nuk e di. Të shohim se çfarë do të ndodhë, ose më saktë, do të zbulohet.

Me pagat si kanë qenë?

Me mungesa, s’kemi marrë disa rroga…

Si shkove te Eldense? Të sollën drejtuesit, apo dikush tjetër?

Trajneri i skuadrës më kishte parë në disa ndeshje në Itali dhe në verë më kërkoi të transferohesha.

Sa lojtarë erdhën në merkaton e janarit dhe a ishin nga Italia të gjithë?

Erdhën pesë apo gjashtë lojtarë italianë…

Mendon se kanë gisht?

Nuk mund të flas dot me siguri për asgjë.

A sollën ndryshim ose përmirësim?

Jo edhe aq.

A ke frikë për karrierën?

Pse duhet të kem, jam sjellë gjithmonë denjësisht dhe si profesionist në fushë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image