Skandal në Itali/ Tifozët ultras sulmojnë tre femra, njëra ishte 77 vjeçe

Tifozët ultras janë pjesa më e bukur në stadiume. Koreografi, këngë dhe mbështetje e pakushtëzuar për ekipin e zemrës. Por, ka raste kur pseudo-tifozët e teprojnë. Kështu ka ndodhur në Itali, ku tre tifoze të Arecos u sulmuan me shufra hekuri, zinxhirë dhe rripa nga një grup prej 10-15 mbështetësish të Lukezes, pas mbylljes së derbit që ekipi kundërshtar fitoi 1-0.

Viktima të agresionit janë drejtuesja e një biznesi, e moshës 46-vjeçare, nëna e saj 77-vjeçare dhe një vajzë e re 26-vjeçare, e cila i shoqëronte në stadium. Tre femrat u mjekuan në spital, ku morrën raport për të qëndruar 5 ditë pushim për të marrë veten nga traumat e pësuara dhe tronditja psikologjike. Ngjarja ndodhi në rrethinat e stadiumit “Porta Eliza” të Lukas.

Tre femrat ishin në makinë, në një nga daljet drejt autostradës, kur u rrethuan nga tifozët e Lukezes, të cilët nisën t’i kërcënonin me mjete të forta. Ata goditën makinën me shkelma dhe me shufrat e hekurit që mbanin në duar, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme, ndërsa më e reja nga viktimat pësoi edhe një goditje në kokë nga një rrip. Tre tifozet arritën të largoheshin nga vendngjarja dhe lajmëruan policinë për ngjarjen, me forcat e rendit që kanë nisur hetimet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *