Skandal dhe shembull/ Arbitri i Superiores vesh kostumin e mjekut: Nuk na i dhanë paratë e premtuara, ia kalojmë njerëzve në nevojë

Në vijë të parë të zjarrit dhe të luftës siç quhet prej kohësh tashmë për përballjen me Koronavirusin, janë mjekët dhe infermierët. Kryeministri i Shqipërisë është shprehur se në llogarinë e tyre do të ketë gjithmonë 1 mijë euro plus nga rroga bazë, deri në momentin kur gjendja e jashtëzakonshme të mbyllet.

Ndërkohë mes këtyre mjekëve është edhe arbitri i njohur në Superiore, Ridigert Çokaj, që punon si anësor dhe njëkohësisht tani në Spitalin Rajonal të Lezhës. Në bazë të raportimit të “ABC News”, Çokaj shprehet se ky shpërblim nuk është marrë nga ana e qeverisë duke folur në emër të të gjithë bluzave të bardha:

“Jemi njohur më parë për vendimin e qeverisë në lidhje me shpërblimin që ka premtuar prej 1000 eurosh, por dje jemi kemi mësuar nga Drejtoria e Spitalit se janë akorduar 5 mijë lek të reja për stafin mjekësor.

Ne kemi vendosur që këto lek të kalojnë për familjet në nevojë. Spitali Rajonal i Lezhës ka qenë në gatishmëri dhe do të vazhdojmë të jemi te gatshëm që të ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Shërbimi është bërë dhe do të vazhdojë të bëhet me të njëjtën devotshmëri”, tha Çokaj. /Sport Ekspres/