Sjellja në Turqi është tërësisht fëmijnore, Bruno Telushi duhet të fshijë fotot

(Artikulli me përmbajtje ironike për sjelljen fëmijnore të mediave në Turqi)

Turqia po e ndien rrezikun e dënimit nga UEFA dhe frika është e madhe për verdiktin që do të jepet, pasi nuk ka asnjë precendent të ngjashëm. Dy herë festimet ushtarake në shërbim të luftës që po bëhet nga Turqi në Siri kanë sjellë edhe kritikat e mëdha në mediat europiane.

Ndërkohë ambienti në Turqi po kërkon gjithçka për t’u shfajësuar, madje në mënyrë tërësisht fëmijnore. Duke mos pranuar as që çështja të kalonte në shqyrtim të UEFA-s, pasi sipas tyre do të jetë një vendim politik.

Si shembull janë sjellë edhe rastet kur lojtarët kanë festuar në të njëjtën mënyrë dhe kanë kaluar pa dënim nga organizmat më të lartë të futbollit. Këtu përmenden rastet nga më të njohura e deri te ato më pak të njohura.

Megjithëse me asnjë lidhje me rastin konkret dhe asnjë ngjashmëri të vetme, tregohen kur Eto dhe Henry kanë festuar si ushtarë, kur Griezman ishte i vetmi lojtar që kërkon të bënte humor me presidentin Macron dhe duke e përshendetur në mënyrë ushtarake, apo kur Hong Chul, koreano-jugori zgjodhi që të bënte sërish të njëjtën përshendetje dhe kalojë pa dënim nga FIFA. Mesa duket të gjitha mediat turke janë duke kërkuar pafundësisht në internet rastet kur ka festime me përshendetje ushtarake.

Por nëse do të gërmojnë më shumë, do të gjejnë edhe në Shqipëri futbollistin e Partizanit, Bruno Telushin, që e ka mënyrë festimi me domethënien se është një ushtar më tepër i klubit. Po kjo ska asnjë rëndësi në gjykim për turqit, prandaj Telushi do të bënte më mirë sikur t’i fshinte fotot, pasi do të përfundojë në këtë vorbullë “çmendurie” vetëmbrojtje që ka kapur ambientin në Turqi… /Sport Ekspres/