Sjellja e çuditshme e PAOK me mesfushorin shqiptar: Asnjëherë nuk më thanë që të kthehet Kaçe

Ergys Kaçe ka tërhequr vëmendjen e tifozëve shqiptarë dhe të Kombëtares për teknikën e lartë të lojës dhe “trurin” që përdor në fushë. Por ky futbollist nuk ka arritur që t’i marrë asnjëherë maksimumin karrierës, të paktën deri tani.

Futbollisti 26-vjeçar vazhdon të mbetet si një kartë e PAOK, që e përdor gjithmonë për interesat e tij, por pa menduar asnjëherë për të mirën e vetë lojtarit. Sa shumë huazime që kanë ndodhur deri tani për këtë mesfushor, ndërsa asnjëherë nuk zgjedhin që të heqin dorë përfundimisht prej tij.

E kur pritej në fillimin e këtij sezoni që me ardhjen e trajnerit të ri, që u afeksionua pas Kaçes, të qendronte te kampionët e Greqisë, erdhi një tjetër huazim te AEL Larisa. Këta të fundit mund ta blejnë përfundimisht, por nuk arrijnë dot dakortësimin për shumën me PAOK. Presidentët e dy ekipeve kanë pasur një ftohje të madhe mes tyre, aqsa u përfol se Kaçe do të rikthehej menjëherë te PAOK vetëm për shkak të kësaj gjaknxehtësie dhe për t’i prishur punë AEL Larisas.

Por është menaxheri dhe personi i njohur në futbollin grek, Nikos Kagioulis, që sqaron gjithçka: “Unë e di sesi janë marrëdhëniet e këtyre dy burrave me njëri-tjetrin, por askush nga PAOK nuk më ka thënë që Kaçe të kthehet menjëherë. Ai u huazua te AEL dhe po luan mirë. Duhet të luajë për të treguar vlerën e tij, ashtu siç ka bërë gjithmonë dhe po e bën edhe tani”, ka thënë Kagioulis. /Sport Ekspres/