Situatë me dritëhije: Vllaznia e Bylisi bëjnë diferencën, Elbasani dhe Vora mbeten debutues

Janë luajtur 11 javët e para të Kategorisë së Parë, dhe konfigurimi i renditjes thuajse është në realitetin e skuadrave. Nëse në Grupin A është Vllaznia që komandon renditjen që nga java e parë, në grupin B është Bylisi, i cili ka dy javë që e ka zbritur Besën nga “froni” i kreut.

Në Grupin A, shkodranët e kanë krijuar një diferencë ndaj ndjekësve, që realisht nuk kanë qenë kërcënues për të, ndërsa në këtë grup, situata në fundin e renditjes duket se do të ketë “derbi” mes Burrelit e Vorës. Në këtë grup spikat skuadra e Veleçikut, e cila në këtë debutim të parë, pas 11 javëve renditet në vendin e katërt në tabëlë, duke u bërë kështu një “kockë e fortë” për tu mundur, kryesisht në fushën e vet.

Në Grupin B janë disa skuadra që e synojnë ngjitjen në Superiore, edhe pse në fazën e tretë do të ketë më shumë punë për të gjitha. Deri në javën e 11-të, Bylisi e Besa po tregojnë se e kërkojnë kreun e grupit, ndërsa skuadra të tjera si Apolonia, Egnatia, Lushnja, Pogradeci e Tomori, vetëm sa e shtojnë rivalitetin, por jo kërcënimin e dy skuadrave të kreut. Elbasani e Turbina janë dy skuadrat e së njëjtës prefekturë, të cilat realisht do të krijojnë “derbin” për qëndrim në Kategorinë e Parë.

Këto janë dritëhijet në 11 javët e luajtura në këtë kategori, të cilat në javën e 12-të pritet që të sjellin të tjera surpriza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *