Situata paradoksale në Kombëtare, kur “të përkëdhelurit” flasin para Endri Çekiçit

Në Kombëtare nuk ka vend për “të përkëdhelur” dhe këtë mesazh e përcolli qartë trajneri Reja në konferencën për shtyp. Trajneri është mbi të gjithë dhe është ai që në fund vendos mbi lojtarët që do të luajnë apo jo, e kundërta kurrsesi nuk mund të ndodh. E pakta që një futbollist profesionist dhe i matur mund të bëjë është të pranojë vendimet drejtuesit të stolit dhe të japë më të mirën për të fituar një vend në fushën e lojës.

Po këtë gjë nuk ka zgjedhur aspak ta bëjë Eros Grezda, që hatërmbetjet me Rejan i pati më të hershme, që në ndeshjen e parë të teknikut italian kundër Islandës. Ose nga minuta e parë ose më mirë largimin nga grumbullimi, kjo ishte ajo çfarë sulmuesi propozonte për Rejan, duke lënë kështu grupin si për të treguar se nuk ka zgjidhje të mesme. E justifikimi për një veprim të tillë ishte i thjeshtë: “Stërvitem me Rangersin dhe meritoj një vend në formacion”. Por të stërvitesh me një klub dhe të luash për të janë dy gjëra krejt të ndryshme dhe këtë gjë futbollisti duhet ta dijë mirë. E si për ta komplikuar më shumë situatën për sulmuesin shërben edhe vendimi që klubi skocez ka marrë për të, duke e dërguar në ekipin e të rinjve dhe duke e pasur jashtë planeve të tyre.

Ndërkohë shembulli duhet të merret nga Sllovenia, aty ku Endri Çekiçi, megjithëse me shumë gola mbi shpinën e tij këtë sezon, ka provuar deri më tani vetëm listën e pritjes me Kombëtaren e Shqipërisë. Por kjo nuk ka sjellë rebelim të tij, përkundrazi vazhdon të bëjë mirë, të shënojë, madje gola që nga mënyra e realizimit janë të një kategorie të lartë, por më e rëndësishmja vazhdon të presë, pasi në fund të fundit Kombëtarja është para individit dhe kapriçove të tyre./Sport Ekspres/