Siti shkërrmoq Liverpulin me 10 vetë

“Qytetarët” kanë shpartalluar Liverpulin 5-0 në një takim të kushtëzuar shumë nga kartoni i kuq nga Sadio Mane

Mançester Siti ka shkatërruar Liverpulin 5-0 të shtunën pasdite në një takim që është kushtëzuar jo pak nga dalja me karton të kuq e Sadio Mane pas një përplasje me portierin Ederson, i cili ka përfunduar në spital. Deri në momentin e daljes me të kuqe të Mane (37’), Siti kryesonte falë golit rekord të Agueros, por Liverpuli ishte tërësisht në lojë, duke i krijuar mjaft problem “Qytetarëve”. Më tej ka qenë gjithçka e thjeshtë për “Qytetarët” që kanë thelluar epërsinë e tyre, duke marrë një fitore mjaft të rëndësishme që i jep fund tersit përballë “The Reds-ave”.

Aguero për rekord – Trajneri Guardiola ka vendosur të hedhë në fushë dyshen Aguero-Zhezus, që në fund ka treguar se mund të kombinohen mjaft mirë mes tyre. Në mbrojtje, në vend të Kompani të dëmtuar ka hedhur Stons. Nga ana tjetër Klop i ka besuar Klavan në qendër të mbrojtjes dhe Trent Aleksandër-Arnold në të djathtë. Takimi ka nisur mjaft mirë për Liverpulin që ka vënë në vështirësi të mëdha Sitin, sidomos në krahun e djathtë me Mohamed Salah. Por në momentin më të mirë të Liverpulit, Siti kalon në epërsi. De Brujn jep një assist për Agueron, që shmang Minjolet dhe kalon Sitin përpara. Një gol rekord për argjentinasin, i cili shënon golin numër 124 në Premier, duke u bërë golashënuesi më i mirë jo evropian në kampionatin anglez. Ai ka lanë pas Duajt Jork me 123 gola.

Mane me të kuqe – Goli i pësuar nuk ndryshon asgjë në lojë, sepse Liverpuli nuk duket i dorëzuar. Madje, i afrohet shumë pranë golit të barazimit me Mohamed Salah (31’), por Ederson bën mrekullinë. Momenti i dytë kulmor që vendos dhe fatin e takimit vjen në të 37-të minutë. Matip jep një assist për Mane, por Ederson është më i shpejtë se ai, dy lojtarët përplasen ashpër, me Mane që godet me takë në fytyrë portierin brazilia. Karton i kuq për Mane, që ka çelur një debat të fortë në Angli. Ederson përfundon në spital me të qepura dhe fraktura.

Ndeshje pa histori – Kartoni i Mane ndryshon kursin e ndeshjes dhe Siti përfiton, duke mbyllur takimin. Në minutën e gjashtë shtesë nga tetë të dhënat në pjesën e parë Gabriel Zhezus dyfishon shifrat, duke mos i lënë asnjë shans Liverpulit. Jurgen Klop e upton se kjo ndeshje është arkivuar tashmë dhe largon lojtarët kryesorë për të mos shpenzuar më shumë energji. Për të kuqtë debuton dhe blerja e fundit e merkatos Aleks Okslejd-Çambërlein. Siti trefishon shifrat tetë minuta nga fillimi i pjesës së dytë kur Gabriel Zhezus shënon të dytin personal pas një dhurate të Serxhio Aguero. Ndeshja në “Etihad” nuk ka asnjë histori dhe kthehet në një shou të Mançester Sitit, që nuk ka të ngopur me gola. 13 minuta nga fundi i ndeshjes Sane i çon shifrat në 4-0. Nuk ka mbaruar ende, sepse Sane në kohën shtesë shënon dhe golin e pestë, duke i shkaktuar Jurgen Klopit humbjen më të thellë që nga mbërritja e tij në ishull.

Man.Siti – Liverpul  5-0

Shënues: Aguero 24’, Zhezus 45’+6, 53’, Sane 77’, 90’+1

E shtunë 9 shtator 2017 “Etihad Stadium”

Man.Siti: Ederson (Bravo 45’+1), Uolker, Danilo, Otamendi (Mangala 71’), Stons, Mendi, Fernandinjo, D.Silva, De Brujn, Gabriel Zhezus (Sane 57’), Aguero. Trajner: P.Guardiola

Liverpuli: Minjolet, Aleksander-Arnold, Matip, Klavan, Moreno, Henderson, Vijnaldum (Milner 58’), Xhan, Salah (Okslejd-Çambërlein 46’), Mane, Firmino (Solanke 67’). Trajner: J.Klop

Gjyqtar: Xh.Mos

Kartonë të verdhë: Otamendi 6’, Fernandinjo 28’ / Aleksander-Arnold 20’, Xhan 80’

Karton të kuq: Mane 37’

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *