Siti prezanton blerjen e radhës, shpenzimet kalojnë 225 milionë eurot

Mançester Siti nuk ka ndërmend të ndalet këtë verë, sepse sot ka zyrtarizuar blerjen e radhës, mbrojtsin Benzhamin Mendi për rreth 56 milionë euro, nga Monako.

Mbrojtësi i majtë, 23 vjeç, ka firmosur një kontratë 5-vjeçare.

Këtë verë Pep Guardiola ka bërë revolucion në mbrojtje, sepse deri tani ka shpenzuar në total rreth 140 milionë euro për Kajl Uoker dhe Danilo në të djathtë dhe tani për Mendinë.

Duhet theksuar se Man Siti ka një mbrojtje të pabesueshme, me trajnerin Pep Guardiola që ka shpenzuar miliona sterlina në dy sezonet e fundit, duke afruar portierët Bravo e Ederson dhe mbrojtësit Stouns, Uoker, Danilo e Mendi, ndërsa në ekip ka edhe Mangala e Otamendi. Të gjithë së bashku kanë kushtuar mbi 300 milionë sterlina!

Mendi kaloi nga Marseja te Monako verën e shkuar, për 15 milionë euro, duke pasuruar brenda një sezoni Monakon, që para pak javësh i shiti Sitit edhe mesfushorin portugez Bernardo Silva për 50 milionë euro.

Në total, Siti ka shpenzuar këtë verë mbi 225 milionë euro, por nuk ka mbaruar, sepse pritet edhe një sulmues dhe Siti i kërkon Monakos edhe Mbapenë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *