Siti është uragan, vjen suksesi i radhës

Të besuarit e Guardiolës marrin fitoren e radhës. Ata mposhtën Totenhamin me rezultatin e thellë 4-1, duke thelluar distancën me Mançester Junajtidin.

Mançester Siti nuk ndalet më. Djemtë e Guardiolës mposhtin me mjaft lehtësi ekipin e drejtuar nga Poçetino, duke shfaqur edhe njëherë formën fantastike që po kalojnë. Guardiola e dinte rëndësinë e kësaj sfide dhe hodhi në fushën e lojës të gjithë lojtarët titullarë. De Brujne ishte i papërmbajtshëm, duke marrë pjesë në çdo gol të skuadrës së tij. Gundogan hapi serinë e golave në minutën e 14’ të takimit, ndërsa De Brujne në pjesën e dytë dyfishoi avantazhin e Sitit. Pesë minuta më vonë, ishte sërish belgu protagonist, i cili fitoi një 11-metërsh, por talenti brazilian Zhezus u tregua i pasaktë nga pika e bardhë. Për të thelluar akoma dhe më shumë rezultatin e takimit mendoi 22-vjeçari, Rahim Sterling. Mesfushori anglez shënoi dy gola në harkun kohor të dhjetë minutave, duke konfirmuar edhe një herë tjetër formën e mirë që po kalon. Totenhami do të gjente golin vetëm në minutën e fundit të sfidës me anë të yllit të tyre, Eriksen.

Gjithsesi, ky gol i danezit ishte thjesht një gol ngushëllimi për “Gjelat” e Londrës. Mançester Siti vazhdon të mbetet i pamposhtur në Premier Ligë pas 18-të javësh kampionat. Të besuarit e Guardiolës vazhdojnë të ruajnë kreun e renditjes dhe marshojnë kështu drejt titullit kampion. Për momentin, Siti ka një distancë prej 14 pikësh me Mançester Junajtidin, të cilët përballen sot në transfertë kundër Uest Bromit. Nëse “Djajtë e kuq” nuk arrijnë të fitojnë ndeshjen e tyre, lufta e titullit mund të quhet një çështje e mbyllur. Totenhami zbret në vendin e shtatë dhe janë shumë larg objektivave të vendosur në fillim të sezonit. Titulli duket i pamundur për “Gjelat”, të cilët mund të ngushëllohen me faktin se po kalojnë në sezon të mirë në Ligën e Kampionëve. Objektivi kryesor i Totenhamit ngelet renditja mes katër më të mirave në Premier Ligë, si dhe të avancojë sa më shumë të jetë e mundur në Ligën e Kampionëve, ku pengesa e parë e tyre do të jetë Juventusi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *