Sirenat kroate të venitura dhe ato ruse, Sherif Kallaku do të jetë largimi i bujshëm nga Superiorja

Teksa afrohemi gjithmonë e më tepër në merkaton e janarit, e gjithë vëmendja është e përqendruar tek largimet dhe afrimet që do të ndodhin në elitën e futbollit shqiptar. Sipas të gjitha gjasave, vendimi më i zhurmshëm do të jetë ai i Sherif Kallakut.

Mesfushori i Teutës u përfol se është në kontakte me Akhmat Groznin, për ta zhvilluar karrierën e tij në Rusi. Ndërkohë edhe Besnik Prenga ka ardhur për ta parë në takimin mes Vllaznisë dhe Teutës, për t’i bërë ofertë nga Lokomotiva e Zagrebit.

Në atë përballje Kallaku nuk do të ishte në nivelin më të mirë, prandaj edhe Prenga kërkoi një tjetër ndeshje që ta shihte më nga afër. Por ai tërmeti i rënë dhe që tronditi gjithë Shqipërinë, prishi planet e ish-trajnerit të Laçit dhe një tjetër zyrtari nga Lokomotiva e Zagrebit, që u kthyen në Kroaci.

Në këto kushte, sirena kroate duket të jetë disi më e venitur, megjithëse Prenga e di saktësisht se Kallaku është një luks për Superioren dhe do të kishte të ardhme të madhe në Kroaci. Por gjendja mbetet e tillë, me ardhjen e janarit, Teuta duhet të bëj pa më të rëndësishmin në skuadër. /Sport Ekspres/