Sirena ruse për Gavazaj, e kërkon Jenisej Krasnojarsk

Konferenca për shtyp e dhënë vetëm tre ditë më parë nuk ishte e rastësishme. Ajo ishte mënyra që Enis Gavazaj ti jepte lamtumirën Skënderbeut dhe tifozëve korçarë, me transferimin jashtë Shqipërisë që është vetëm çështje kohe.

Tashmë është zbuluar edhe oferta konkrete që Skënderbeu ka marrë për yllin e sulmit. Sipas “SuperSport” Jenisej Krasnojarsk ka bërë hapa konkretë për të siguruar shërbimet e 23-vjeçarit të lindur në Prizren. Ekipi i sapo ngjitur në Premierligën ruse është në fazat e fundit të negociatave me Skënderbeun.

Oferta financiare ende nuk bëhet publike, edhe pse dihet që korçarët nuk kanë ndërmend të përfitojnë më pak se 600 mijë euro për lojtarin e Kombëtares shqiptare, për të cilin janë interesuar edhe ekipe në Austri e Belgjikë.

Nëse marrëveshja për transferimin e Gavazajt te Jenisej Krasnojarsk do të realizohet, sulmuesi do të ishte lojtari i tretë që Skënderbeu shet pas hapjes së merkatos së verës, pas kalimit të Xhejms te Gabala në Azerbajxhan dhe Suad Sahitit te AEL Larisa në Greqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *