Sinjalizimet për trukime, në Tailandë plasin arrestimet

Në Shqipëri nuk e vëmë ujin në zjarr edhe kur vijnë dosjet nga UEFA për trukime, por ka disa vende që mundohen ta luftojnë sëmundjen e manipulimit të ndeshjeve të futbollit për përfitime financiare. Në Tailandë një hetim disa-mujor ka çuar në arrestimin e 12 personave, mes të cilëve 5 futbollistë, një gjyqtar kryesor, një anësor dhe një drejtues i klubit Sisaket, tha presidenti i Federatës së Futbollit në Tailandë, Somjot Pumpanmuang, në një konferencë për shtyp mbajtur sot së bashku me shefin e policisë në Tailandë, ku u njoftua se një ndeshje e luajtur në korrik dhe 3 në shtator janë pjesë e hetimit.

Policia raporton se 4 lojtarë nga Siam Nejvi dhe një nga Nakhon Raçasima janë paguar rreth 6.100 dollarë secili, për të manipuluar ndeshje, me një shpenzim që shkonte deri në 27.000 dollarë për të trukuar një ndeshje.

Informacioni kryesor për policinë erdhi nga kompania e njohur Sportradar, ajo që heton dhe analizon mijëra ndeshje nga e gjithë bota, para se të raportojë te UEFA dhe FIFA, me të cilat ka kontratë bashkëpunimi.

Hetimi ka nisur për shkak se shumë ndeshje në Tailandë kanë pasur një ecuri të çuditshme, me shumë gola në minutat e fundit të ndeshjeve.

Në Tailandë futbolli prej vitesh ka qenë i damkosur për shkak të trukimeve, ashtu si në Shqipëri, ndaj shteti dhe Federata atje kanë vendosur të ndërmarrin masa të ashpra, pasi vitet e fundit të ardhurat janë rritur ndjeshëm dhe stadiumet po mbushen plot, për shkak se është ulur ndjeshëm vala e trukimeve me bazë Kinën dhe vendet fqinje.

12 personat e arrestuar kanë paguar shuma të mëdha për lirimin me garanci dhe janë në pritje të gjykimit. Në rast se shpallen fajtorë, të gjithë rrezikojnë nga 5 deri në 10 vite burg. Hetimi vazhdon dhe mund të ketë arrestime të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *