Sinjale pozitive nga Vllaznia, por kundër Laçit duhet më shumë

0

Barazimi në transfertë me Luftëtarin, konsiderohet pozitiv, por në Shkodër i kërkojnë më shumë prej skuadrës së tyre, testi kryesor me kurbinasit në fundjavë

Gaspër Marku

Problematika që shoqëroi kuqeblutë pas humbjes me durrsakët në shtëpi vuri si domosdoshmëri për skuadrën e Cungut, që në ndeshjen e radhës, atë me Luftëtarin në transfertë, të bëhej autokritika e duhur. Ishte kjo arsyeja që në kampin kuqeblu ishin tërësisht të karikuar që ballafaqimi me Luftëtarin të kalohej me një rezultat pozitiv. Primare ishte fitorja dhe marrja e tre pikëve, me të cilin do të ballë hapej përpara tifozërisë së tyre, duke e konsideruar atë si një kompensim për humbjen me Teutën në “Loro Boriçi”. Dhe, në fakt, me atë që paraqitën në fushën e lojës i kishin të gjitha mundësitë që nga stadiumi “Luftëtari” ata të largoheshin fare mirë me tre pikë. Me një traversë të Pjeshkës me kokë, rastin ideal të Ribajt me kokë që më e vështirë ishte për ta nxjerrë jashtë se sa në rrjetë në pjesën e parë, dhe po ashtu të Orelesit në pjesën e dytë, fitorja ishte shumë pranë. Dhe, nëse do të arrihej një gjë e tillë, pas javës së tretë Vllaznia do të ishte me gjashtë pikë. Megjithatë, e rëndësishme është që nuk u mund në Gjirokastër. E ndërsa, për kundërshtarin, ky barazim në shtëpi, konsiderohej dështim, specialistët e futbollit shkodran e quajnë një hap pozitiv. Përpos pikës së marrë në transfertë, opinionistët sportivë të qytetit verior kanë vlerësuar tek skuadra e tyre këtë javë edhe një lëvizje për mirë në drejtim të veprimeve në fushën e lojës. Siguria në prapavijë, përfshirë edhe portierin Selimaj, i sigurtë në çdo dalje në luftën në ajër, si dhe po aq i tillë edhe në një ngacmim në limitin e takimit, ku pas një gjuajtje ballore të vendasve planzhoni i tij në të majtë neutralizoi përpjekjet e gjirokastritëve në kërkim të golit të avantazhit.

Laçi, testi kryesor për kuqeblutë

Nëse hapi i parë u hodh të shtunën e kaluar në Gjirokastër, ku më tepër se pika e marrë në transfertë nota pozitive mori edhe loja e kuqebluve, ku në momente të caktuara mori vlerësime jo pak pozitive, testi kryesor për Vllazninë mbetet ndeshja e fundjavës me Laçin. Atë që nuk e bënë në Gjirokastër, ku edhe e kishin në objektiv, dhe që për hir të së vërtetës ishin mjaft pranë realizimit, kuqebutë do të kërkojnë ta marrin në javën e katërt. Një javë, që kalendari ka përcaktuar që përsëri Vllaznia të luajë jashtë përballë komshinjve verior si Laçi, i cili gjatë viteve të fundit është shfaqur si një skuadër problematike për kuqeblu, duke e befasuar jo pak herë me marrjen e pikëve, madje edhe brenda në Shkodër.

 

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here