Sinan Idrizi, rikuperimi dhe Kupa e veçantë në Shqipëri/ Lila: Do vijë Turqia, Greqia dhe Italia

Për shkak të tragjedisë dhe katastrofës natyrore të ndodhur në vendin tonë, do të kemi edhe një organizim të veçantë për ndeshje të futbollit që do të zhvillohen në Shqipëri. Këtë lajm e bën publik Andi Lila për “Zona Gol”. Por gjithashtu është folur edhe për periudhën e rikuperimit në fushë.

“Jam duke punuar shumë dhe pres që të kthehem në janar në fushë, pasi kam pasur një dëmtim shumë të rëndë. Por gjithashtu kam punuar tepër edhe me Sindikatën e Futbollistëve. Ne do të mbrojmë të drejtat e tyre dhe së shpejti do të firmosim një kontratë për ta që vjen nga organizmat e futbollit europian, që është një shpëtim. Koha kur një president që pas një humbje i thotë lojtarit: “Dil jashtë”, ka “vdekur”. Këtë e them me siguri. Deri tani kanë trokitur për pagesën e pamarrë te Sindikata jonë shumë lojtarë, jo vetëm nga Flamurtari.

Nuk e njoh personalisht zotin Idrizi, po më duket shumë serioz dhe njeri me bagazh. Ai po pret atë reformën dhe ligjin në sport për të vazhduar me fondin e lekëve. Gjithashtu dua t’ju njoftoj edhe për një Kupë simbolike që do të bëhet në Shqipëri me vlerë simbolike pas tragjedisë së tërmetit. Ne personalisht kemi kontaktuar Turqinë, Greqinë dhe Italinë. Do të jenë pikërisht 4 skuadra që do të luajnë dhe lekët e biletave shkojnë për familjet e lojtarëve të prekur nga tërmeti. Për emrat që do të vijnë po kërkojmë për Turqinë e vitit 2002 që doli e treta në Kupën e Botës, me Greqinë që doli kampion Europe në 2004, por edhe te Italia nga lojtarët e 2006 ndoshta”. /Sport Ekspres/