Simeone: Një ditë do të drejtoj Interin. Xhovani? Sulmues perfekt, por kurrë në një ekip bashkë!

Diego Simeone e ka shprehur gjithmonë që një ditë do të drejtojë ekipin e Interit dhe nuk përton asnjëherë ta përsërisë këtë gjë. E tashmja është Atletiko Madrid, ndërsa e ardhmja është Milano zikaltër. Para pak ditësh, motra e Simeones, e cila bën dhe rolin e menaxheres së trajnerit, deklaroi që kalimi i Diegos tek Interi është çështje kohe.

Vetë Simeone ka folur për programin e Kupave (El Partizato), duke komentuar mbi fjalët e së motrës dhe të ardhmen e tij.

“Kontrata ime me Atletikon mbaron në vitin 2020, pra kam dhe dy vite kontratë. Gjithmonë e kam thënë që një ditë do të drejtoj Interin, por po jetoj një moment të jashtëzakonshëm me Atletikon. Do të ndodhë kur të ndodhë, por Inter ka një trajner, i cili po bën një punë shumë të mirë”, sqaron trajneri 48-vjeçar, i cili është aktivizuar me Interin për dy sezone gjatë karrierës si futbollist.

Simeone komenton dhe debutimin me gol me Argjentinën të djalit të tij, Xhovani Simeone. Sulmuesi i Fiorentinës shënoi në miqësoren përballë Guatemalës, ndërsa Diego tregon emocionet e përjetuara.

“Ulërita ‘gol’ dhe gruaja ime, e cila po flinte komentoi: ‘Bukur’. Më erdhi të qaj nga gëzimi, ai e di se çfarë ndjejmë për kombëtaren. Xhovani i ka të gjitha cilësitë për të luajtur për mua, por nuk do të luajë kurrë për ekipin tim. Është shumë e vështirë të kesh djalin në dhomat e zhveshjes. Gjithmonë kam menduar shumë për këtë situatë. Ai ka të gjitha karakteristikat e sulmuesit që unë preferoj. Ndoshta, kur të mos jem më trajner i Atletikos, mund të vijë të luajë këtu. Real Madrid? Hapësirat mes nesh janë zvogëluar me largimin e Kristiano Ronaldos”, përfundon Diego Simeone, trajneri i Atletiko Madrid.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *