Simeone: Ju kërkoj ndjesë të gjithëve, ja e vërteta e gjestit tim!

Diego Simeone është një trajner, i cili është ultrasi më i zjarrtë i ekipit të tij. Trajneri i Atletikos së Madridit njihet për karakterin e tij të veçantë dhe motivimin e madh që i bën lojtarëve, por dhe tifozërisë. Goli i Himenez i dhuroi avantazhin ekipit “colchoneros” kundër Juves dhe në stadiumin “Wanda Metropolitana” shpërtheu festa. I papërmbajtshëm dhe Simeone, i cili kreu një gjest që solli kritika të shumta dhe mund të sjellë dhe dënimin e trajnerit argjentinas.

Ky i fundit ka kërkuar falje publike në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së kampionatit kundër Vijarealit. “El Cholo” ripërsërit se nuk kishte ndërmend të fyente askënd dhe gjesti i tij ishte vetëm kundrejt lojtarëve të tij.

Të gjithë e dinë që unë nuk kërkoj justifikime. Ju kërkoj ndjesë dhe njëherë të gjithë njerëzve, të cilët janë ndjerë të ofenduar nga gjesti im në ndeshjen kundër Juventusit. Shpreha në mënyrë të gabuar atë që po ndjeja për djemtë e ekipit tim dhe nuk kishte lidhje fare me bardhezinjtë. Dua ta mbyll këtë temë”, thekson trajneri i Atletikos.

Një ditë më parë foli dhe babai i Diegos, i cili mbeti i befasuar nga mënyra e festimit të djalit të tij. “Unë nuk ia kam mësuar dhe nuk e di nga e nxori atë mënyrë festimi. Më befasoi, sepse mendoja se ky veprim i përkiste kohës së kaluar. Gjithsesi, ishte një shkarkim emocionesh dhe asgjë më shumë. Uroj që mos ta dënojnë.”

Një koment rreth kësaj çështje dha dhe Maks Alegri gjatë konferencës për shtyp përpara ndeshjes me Bolonjën. Trajneri i bardhezinjve u shpreh se nuk e kishte vënë re diçka të tillë dhe çdokush mund të sillet si të dëshirojë.

Festimi i Simeones është pritur keq nga tifozët e Juves, të cilët janë gati t’i dhurojnë një “mikpritje” të veçantë argjentinasit në ndeshjen e kthimit në Torino.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *