Siljanovski nuk mendon për titullin, Useini mesazh rivalëve

Muhamedin Useini u rikthye titullar te Flamurtari në ndeshjen me Kastriotin, ndërkohë që ishte zgjedhur së bashku me Goran Siljanovksin të dilnin sot para mediave për të folur për ndeshjen e radhës me Laçin.

“Laçi është fushë e vështirë, kemi punuar mjaft mirë në ditët e fundit dhe kemi analizuar gjithçka me stafin teknik, ndaj jemi të përgatitur maksimalisht. Shkojmë në Laç për tre pikë, pasi Flamurtari luan gjithnjë për fitore. Laçi ka vite që luan në Europa League, ka ekip cilësor dhe është një fushë mjaft e vështirë, por Flamurtari duhet të tregojë që e meriton të qëndrojë lart në renditje. Respekt çdo skuadre, por askush nuk është mbi ne”, u shpreh mesfushori, i cili ka bërë edhe një krahasim te Flamurtarit të këtij sezoni me atë të vjetshmin.

“Nuk mund të flas për dy ekipe krejt të ndryshëm, duke nisur nga trajneri e deri te lojtarët. Mund të them që këtë vit ekipi është mjaft cilësor, me emra të mëdhenj në Superiore, por krahasimi me sezonin e shkuar nuk bëhet dot”.

SILJANOVSKI – Mbrojtësi i djathtë shfaqet i kënaqur me atë që po përjeton në Vlorë dhe fillimisht flet për aspektin personal. “Unë gjithnjë mundohem të jap maksimumin, duhet pyetur trajneri a është i kënaqur prej meje, sepse jap gjithnjë më të mirën e vet. Asnjë futbollist nuk është i kënaqur nga vetja, ka gjithnjë hapësirë për përmirësim”, tha Siljanovski.

Më tej ai foli edhe për ndeshjen me kurbinasit dhe për objektivat: “Dihet që ndeshjet në Laç janë të vështira. Vinim nga dy humbje rresht, reaguam mirë në ndeshjen e fundit dhe nëse luajmë ashtu edhe në Laç do të fitojmë. Titulli? Për momentin jemi të përqendruar te ndeshja e radhës, nuk shohim aq larg. Të shohim ndeshjet me Laçin e Kamzën, nëse ecim hap pas hapi, duke marrë maksimumin në çdo takim, do të shohim ku do të mbërrijmë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *