“Sikur të kisha te Këlni këto mend që kam sot”! Odise Roshi: Milani është ëndrra e madhe, e kam thënë për Tiranën kampion

Nga Klaudio Ndreca

Odise Roshi është gjithmonë lojtari i preferuar i tifozëve të Kombëtares për vetë natyrën dhe stilin e veçantë në lojën e tij. Asnjëherë nuk ka frikë për të guxuar dhe për të hyrë në driblim ndaj kundërshtarëve, duke bërë diferencën te kuqezinjtë.

Më parë sulmuesi do të bënte një kalim të madh nga Shqipëria për të shkuar te Këln, ndërsa këtë eksperiencë e kujton ende me shumë nostagji. Pengu i vetëm? Sikur të kishte atëherë mënyrën e të menduarit siç e ka aktualisht. Janë pikërisht këto fjalë të dala nga Odise Roshi, që në një intervistë për “Dribbling në Fax Web”, tregon edhe ëndrrën më të madhe që e ka në sirtar.

“Kur kam shkuar të Këlni më ka bërë Aliaj surprizë. Më tha të përgatitem se do të shkoj te Maribori në Slloveni. Nuk më tha gjë se do të ikja në Gjermani. Kam shkuar atje ditën e parë dhe bëra provën me U-21 se ekipi i parë ishte pushim dhe ditën tjetër kam shkuar direkt në ekipin kryesor dhe duke u stërvitur. “Ky djalë do të firmosë këtu”. Kjo ishte dhe kështu vazhdova.

Do të doja që me këto mend që kam tani të isha atëherë. Por ka shumë gjëra, gjuha dhe diferenca mes futbollit shqiptar dhe direkt në futbollin gjerman. E kam pasur shumë të vështirë që të ambientohem. Jam i kënaqur me karrierën time, por një ëndërr në sirtar është që të luaj në Seria A, pasi kam qenë tifoz që i vogël i këtij kampionati. Milani do të ishte ëndrra më e madhe, por mjafton që të jem në Seria A, pavarësisht çdo ekipi.

Kampionati shqiptar? I ndjek përmbledhjet e ndeshjeve, kam qenë edhe në derbin e fundit mes Tirana-Partizani. E kam thënë edhe më parë që Tirana del kampion se po bën ndeshje të mira”, ka thënë Roshi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *