“Sikur të kanë futur me zor në fushë”, Klaus Gjasula: Nuk e prisja kështu! I numëroj ditët sa të vij te Kombëtarja

Nga Klaudio Ndreca

Situata që ka krijuar pandemia e Koronavirusit do të vazhdojë që të ndihet në futboll, pavarësisht se shumë kampionate do të rinisin brenda pak kohësh. Gjermania është e para që mori guximin për të hapur këtë sport në Europë, duke hedhur pas shpine të gjithë peripecitë e kaluara. Por sa ndryshe është të luash me rregullat krejtësisht e pazakonta, por që garantojnë sigurinë? Por sa ndryshe është që të luash pa tifozë dhe sa ndihet kjo në fushën e lojës, për një futbollist?

Të gjithën këtë e sqaron lojtari i Shqipërisë dhe Paderbornit, Klaus Gjasula, që luajti për 45 minuta në takimin e fundit. Në një intervistë për “Fax Sport”, mesfushori kuqezi shprehet se ndihet si të ishte i detyruar për të dalë në fushën e lojës, pasi nuk ka të njëjtën kënaqësi dhe adrenalinë.

“Nuk ndihesh sikur luan futboll, është kështu sikur të kanë çuar me zor në fushë. Nuk jemi të gëzuar në fushën e lojës. Mendoja se do të ishte e lehtë rikthimi, por është më e vështirë nga çfarë e kisha menduar. Duhet të motivohesh shumë vetë që të kthehesh në gjendjen si në fillim.

Ndeshja e fundit? Po më ka rënë një top në fytyrë pak para pushimit mes pjesëve dhe më para kam pasur problem me hundën që ishte e thyer. Por mora edhe një karton të verdhë. Trajneri na kishte thënë më para që merrni një karton të verdhë dhe do i’u nxjerr jashtë. Se tani janë bërë edhe 5 zëvendësime si limit për trajnerët. (qesh). Ky lloj futbolli është kështu si të thuash: “Futu në fushë dhe mbaro ndeshje, sa të mos prishet kampionati”. Se realisht mezi po presim futbollin normal për sezonin tjetër.

Jam duke numëruar ditët për t’u grumbulluar prapë nga Kombëtarja. Që i vogël ishte pikërisht kjo ëndrra ime për të luajtur me Shqipërinë. Do të ishte fantastike fare që të luaja edhe me vëllain tim aty, Jurgenin, por gjithsesi jemi mirë edhe kështu. Vëllai ka qenë më herët te Shqipëria dhe më ka ndihmuar. Më ka thënë që të dëgjojë më shumë dhe të mos flasë tepër”, përfundon Klaus Gjausla. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *