Siguri ekstreme në Beograd, dy tribuna mbushen me policë

98 kamera sigurie në stadiumin “Hum”, me super afrim, ndërsa do të jenë rreth 1500 forca policore bashkë me civilë. Sakaq, biletat janë nominale dhe duhet katër identifikimi

Ndeshja Partizan Beograd-Skënderbeu nuk është si gjithë të tjerat dhe ajo që ia vlen të thuhet është se bëhet fjalë për një takim që do të monitorohet nga sytë e Europës, sidomos UEFA, duke qenë se klubi serb shpesh ka qenë nën shënjestër për sjelljen e tifozerisë në stadium, mes urrejtjes nacionaliste, politizimit, dhunës por edhe pankardave offensive. Kështu, duke qenë se në Shqipëri, në “Elbasan Arena”, pritja për skuadrën bardhezi dhe stafin ishte e mrekullueshme, në Beograd duhet të ndodhë e njëjta gjë. Natyrisht, vërshëllimet dhe fyerjet nuk do të mund të ndalohen, por duhen shmangur pankartat me mesazh politik por edhe fishekzjarrë në fushë dhe ndonjë kor racist, që mund të sillte jo vetëm gjobë të majme, por edhe shumë ndeshje pa tifozë.
Pak orë përpara startit të ndeshjes, tuneli është i qetë dhe në Beograd synojnë që të mbetet i tillë edhe gjatë përballjes. Për SuperSport këtë e konfirmoi zëdhënësja për shtyp e klubit të Partizanit, Biljana Obradoviç. “Jemi në zonën jug-lindore të stadiumit. Tuneli nga ku dalin lojtarët, do të zgjatet thuajse deri te fusha për të parandaluar hedhjen e sendeve të forta drejt sportistëve. Tribuna veriore dhe një pjesë e tribunës lindore do të mbyllen për tifozët, biletat do të jepen vetëm për pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të garantuar që siguria do të jetë në nivelin maksimal”, tha Obradoviç.

Ashtu siç është paralajmëruar prej disa ditësh nga klubi serb, masat e sigurisë do të jenë mjaft të forta. Hyrja e tifozëve do të bëhet rreth tre orë përpara ndeshjes, biletat do të jenë me emër, ndërsa në stadium do të lejohen vetëm sendet personale. Të gjitha biletat do të jenë me emër dhe mbiemër. Kushdo që do të vijë në stadium, duhet të tregojë dokumentin e identifikimit për të hyrë. Të gjithë spektatorët në tribunën qendrore, nga Lindja dhe Perëndimi, do të kenë byzykylë të veçantë, për të lehtësuar kalimin e tyre deri në vendet përkatëse. Spektatorëve do t’u lejohen vetëm telefona, çelësa dhe sende personale. Stadiumi do të mbulohet me 98 kamera sigurie, të cilat mund ta zmadhojnë imazhin deri në 36 herë, për të evidentuar personat që mund të shfaqin pankarta të papërshtatshme, apo që mund të hedhin sende të forta në fushë. Ai individ do të sanksionohet menjëherë”, tha zëdhenësja e shtypit të klubit serb.

Te Partizani i Beogradit kërkojnë që organizimi i ndeshjes me Skënderbeun të jetë i përkryer, ashtu siç ndodhi në Elbasan, por edhe për të evituar penalizime financiare që kanë rënduar arkat e klubit.

“Së pari dua të falënderoj të gjithë Shqipërinë për mikëpritjen e shkëlqyer që kemi patur në Tiranë dhe më pas në Elbasan. Masat e sigurisë për ndeshjen do të përforcohen, mbi të gjitha prej faktit që UEFA e ka dënuar njëherë Partizanin, ashtu siç dënoi edhe Skënderbeun. Jemi në dijeni të gjobës prej 60 mijë eurove dhe një ndeshje pa tifozë për Skënderbeun, ndërsa deri më tani Partizani është gjobitur në vlerën 400 mijë euro dhe nuk duam që këto situata të përsëriten. Presim një sjellje sportive dhe korrekte, ashtu si e ka thënë edhe trajneri Djukiç, pasi në të kundërt rrezikojmë të dënohemi nga UEFA”, tha.

1500 forca policore
Jo vetëm kontrolle jashtë stadiumit, jo vetëm monitorim me kamera sigurie dhe bileta nominale, por edhe plot 1500 forca policore, ku mes tyre ka edhe ushtarakë. Por, nuk ndalet me kaq plani anti-kaos, pasi do të ketë edhe rreth 800 civilë të shpërndarë në tribunat e stadiumit “Hum” në Beograd.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *