Sigal Prishtina përballë holandezëve të Donar Groningen në Champions

Jo vetëm në futboll. Edhe në basketboll Champions League është turneu më i rëndësishëm ndërkombëtar dhe natyrisht më i vështiri. Për këtë arsye, Sigal Prishtina nuk mund të priste kundërshtar të thjesht në shortin e hedhur në Meis të Zvicrës.

Goglat e vendosën ekipin e kryeqytetit kosovar përballë Donar Gronigen, skuadër që ka fituar 7 tituj kampion në Holandë, nga të cilat tre në tre vitet e fundit. Për të bërë një krahasim, edicionin e kaluar Donar Gronigen arriti deri në gjysmëfinalet e Europe Cup, turne nga i cili Prishtina në anën tjetër ishte eliminuar prej fazës në grupe.

Sfidat me sistem vajtje-ardhje do të luhen më 20 shtator në Prishtinë dhe më 22 shtator në Holandë. Nëse realizon mrekullinë dhe kualifikohet, në turin e dytë Sigal Prishtina do të ndeshet me fituesen e çiftit Friburg-Avtodor, ndërsa në rast se kualifikohet në turin e tretë, si kundërshtar do të kishte turqit e Sakarja.

Sigal Prishtina duhet të kalojë të treja këto faza, për të siguruar pjesëmarrjen në Champions League të basketbollit, ndërsa në rast eliminimi bardhekaltërit do të luajnë ashtu si sezonin e kaluar në Europe Cup.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *