Sigal Prishtina “hakmerret” ndaj Sutjeskës

0

 

 

Skuadra kosovare fitoi 99-92 me malazezët ndeshjen e vlefshme për Ligën Ballkanike në basketboll për meshkuj

 

Florian Behlula

 

Sigal Prishtina – Sutjeska 99-92

(14-23, 24-24, 31-22, 30-23)

Shikues: 2000

Sigal Prishtina: Berisha, Bavçiç, Azemi, Hulls, Mavunga, Mazreku, Trajkovski, Stit, Kols, Mekaj, Jakupi, Bajrami

Trajner: M. Ilievski

Sutjeska: Çaliç, Arsiç, Vranjes, Pavliçeviç, Spasojeviç, Iliç, Cvoroviç, Kovaç, Ljuliç, Ziziç, Boskoviç

Trajner: D. Dubljeviç

Gjyqtarë: V. Tsekov, V. Velikov, M. Tsvetkov

 

 

Palestra e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë ishte e stërmbushur me tifozerinë e Plisave, të cilët kishin përgatitur një koreografi të veçantë për skuadrën e Sutjesksës, duke shpalosur një flamur kombëtar jashtëzakonisht të madh. Ndeshja nisi me një ritëm të ngadaltë dhe deri në katër minutat e fundit të çerekut të parë Sigal Prishtina kishte kontrollin e lojës, mirëpo me disa realizime radhazi Sutjeska u shkëput në rezultat dhe e mbylli këtë periodë me nëntë pikë epërsi, 14-23. Çereku i dytë ishte i barabartë dhe me ndryshime të shumta në rezultat. Së pari bardhekaltrit arritën ta shkurtojnë dizavantazhin në vetëm tre pikë, mirëpo miqtë me goditjet nga distanca e rikthyen përsëri epërsinë që kishin në fillim prej nëntë pikësh, 38-47. Në çerekun e tretë në parket shfaqet një Prishtinë tjetër, më ambicioze dhe më e guximshme, ndërsa në skenë doli Dardan Berisha që realizoi 15 pikë (4 trepikësha) për t’i rikthyer epërsinë bardhekaltërve(64-63). Në minutën e fundit basketbollistët e Sutjeskës shënuan edhe dy herë, mirëpo katër sekonda pa përfunduar çereku, Jordan Hulls shënoi një trepikësh për ta barazuar rezultatin në 69-69, duke e ndezur atmosferën në pallatin e sportit të kryeqytetit kosovar. Teksa loja po bëhej më dramatike, përforcimi i fundit i Prishtinës, Bojan Trajkovski, shënoi dy trepikësha për ta ngritur moralin e skuadrës dhe epërsinë në pesë pikë (87-82). Më pastaj, Bavçiç me Berishën e udhëhoqën skuadrën drejt fitores së madhe, që i siguron bardhekaltërve kualifikimin në fazën e mëtutjeshme. Më i dalluari në këtë ndeshje ishte padyshim Dardan Berisha me 37 pikë, 8 asiste dhe 6 ribaund, ndërsa u ndihmua edhe nga Edin Bavçiç me 25 pikë. Sigal Prishtina tani ka marrë kryesimin e Grupit D me 8 pikë, një më shumë se Kozuvi që e ndjek pas.

 

 

Shefi i Ligës Ballkanike

Shtriks: Fitoi Prishtina, fitoi basketbolli

Drejtori sportiv i Ligës Ballkanike, Shei Shtriks, ka mbetur jashtëzakonisht i kënaqur me atë që pa në sfidën e djeshme mes Sigal Prishtinës dhe Sutjeskës. Shtriks deklaroi se në Prishtinë fitoi basketbolli, aty ku u dëshmua se edhe me tribuna plot me tifozë mund të luhet një ndeshje normale basketbolli. “Ata treguan që sporti, veçanërisht basketbolli, nuk është kontrolluar dhe nuk do të kontrollohet kurrë nga dhuna, huliganizmi, apo ndryshimet racore ose religjioze dhe propaganda politike”, u shpreh Shtriks. Atmosfera e mrekullueshme në palestrën e sporteve në Prishtinë e tregoi qartë se basketbolli mund të luhet para një tribune plotë me tifozë pa aksidente, por me lumturi dhe dashuri karshi klubit që pëlqen”, shtoi tutje izraeliti.

 

 

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image