Sidibe: Gabuam me Teutën, duhej ta zgjidhnim ndryshe

Mesfushori afrikan i vlonjatëve thekson se skuadra i ka aftësitë për të bërë më mirë në kampionat. Për barazimin e fundit pranon gabimet

Elton Nika

Vlonjatët lanë dy pikë të çmuara në ndeshjen e fundit me Teutën, ku barazuan pa gola. Ishte e disata herë që skuadra e Duros nuk arrin të fitojë në fushën e saj, ku të shtunën luajti me stadium të boshatisur për shkak të dënimit të tifozëve nga Disiplina. Në atë ndeshje pati edhe një rast të diskutueshëm, ku vlonjatët pretendojnë se topi e ka kaluar vijën fatale, por gjyqtari nuk ka akorduar gol për Flamurtarin, që shpesh ka pasur ankesa të forta në lidhje me gjykimin.

SIDIBE – Mesfushori afrikan i formacionit të Flamurtarit, Sidibe, ka mendimin se skuadra duhet të kishte bërë diçka më shumë në ndeshjen e fundit për të marrë 3 pikët: “Nuk arritëm ta fitonim ndeshjen me Teutën, pasi ndoshta nuk bëmë mjaftueshëm në fushë për të marrë 3 pikët. Mendoj se duhej ta kishim zgjidhur më mirë atë ndeshje, duke e kërkuar golin me më shumë forca, me ngulm. Nuk duhej t’ia linim asgjë rastësisë, kështu që mendoj se kemi përgjegjësitë tona në atë barazim. Dakord, ishte ai rast i diskutueshëm i golit, që nuk u akordua në favorin tonë, por nuk mund të mjaftohemi me kaq. Flamurtari ka forca të bëjë më shumë në çdo ndeshje dhe të jetë më mirë. Por le të shohim përpara, sepse janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur”, – shprehet Sidibe për “Sport Ekspres”.

OBJEKTIVAT – I pyetur se çfarë mund të bëjë Flamurtari në këtë sezon, Sidibe thekson se një objektiv më i qartë mund të shpallet pas përfundimit të gjysmës së parë të kampionatit: “Me mbylljen edhe të fazës së dytë dhe njëkohësisht gjysmës së parë të kampionatit, do të bëjmë llogaritë tona dhe do të kemi një ide më të qartë se çfarë do të kërkojmë më pas. E thashë se ky Flamurtar ka mundësi për më shumë se kam besim të plotë se do të jemi në treshen e parë në fund të kampionatit, por mund të fitojmë edhe Kupën. Të ecim hap pas hapi dhe të synojmë të marrim më të mirën. Ky është objektivi ynë i momentit”, – ka thënë mesfushori që gëzon një formë të admirueshme fizike dhe që trajneri Shpëtim Duro e llogarit një titullar fiks në formacionin kuqezi.

Ndeshjen e radhës vlonjatët e kanë në fushën e Luftëtarit dhe duhet të kthehen të fitorja për të ruajtur pozitat. Grupi është në gjendje të mirë dhe në këtë transfertë do të synohet vetëm

3-pikëshi, pavarësisht se Luftëtari është një kundërshtar për t’u vlerësuar, pavarësisht rezultateve të deritanishme. Në këtë ndeshje trajneri Duro do të ketë të gatshëm nga minuta e parë edhe kapitenin Tomisllav Bushiç.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *