Sibo: Mos e nënvlerësoni Superioren, fitova shumë nga Shqipëria!

VERONIK ISTREFAJ

Kuasi Sibo u zyrtarizua si lojtari më i ri i skuadrës spanjolle Ibiza UD, ekip tek i cili i huazua nga skuadra e Uatford. 21-vjeçari u bë një emër i njohur për futbollin shqiptar kur u aktivizua te Skënderbeu sezonin e shkuar, ku ishte një ndër lojtarët më të mirë. Sibo luajti 13 ndeshje për “Ujqërit e Dëborës” në Superiore, ku shënoi një gol dhe asistoi një herë.

Pas kalimit të tij te skuadra spanjolle, “SportEkspres” siguroi një intervistë ekskluzive me ish-mesfushorin e Skënderbeut, i cili foli për skuadrën e tij të re në Spanjë, aventurën në Superiore dhe një rikthim të mundshëm në kampionatin shqiptar:

“Ambiciet e mia personale tek ekipi i ri Ibiza UD janë vetëm në interes të skuadrës. Dua që ekipi të progresojë sa më shumë dhe të synojmë ngjitjen në Segunda Division. U transferova këtu për të bërë mirë, për të ndihmuar skuadrën me kualitetet që unë kam. Shpresoj të përshtatem sa më shpejt me futbollin këtu dhe me ato që më kërkon trajneri. Ky huazim shpresoj të na shërbejë të dy palëve, pasi dhe unë dua të rritem sa më shumë dhe të arrij majat si futbollist”, u shpreh 21-vjeçari për aventurën e re spanjolle.

Ndërsa për futbollin shqiptar, Sibo foli vetëm me fjalë pozitive, duke thënë se kampionati ynë është shumë i fortë dhe që nuk merr respektin e duhur: “Futbolli shqiptar ka shumë cilësi, shumë njerëz jashtë Shqipërisë nuk e respektojnë futbollin në vendin tuaj. Por nga eksperienca ime, them me bindje se luhet një futboll shumë cilësor, i fortë fizikisht dhe i paparashikuar, çka i jep një bukuri dhe rivalitet më të madh. Unë personalisht kam fituar shumë nga futbolli shqiptar. Ka shumë skuadra të mira në Shqipëri, që kanë arritur të shkëlqejnë dhe në Europa League. Skënderbeu ka arritur grupet, ndërsa këtë vit kam ndjekur dhe Partizanin në Europë.

Një rikthim i mundshëm në Shqipëri? Për momentin jam në Spanjë, në një moment shumë të mirë të karrierës time. Kam ardhur këtu për t’u rritur dhe për të arritur nivele edhe më të larta. Futbolli shqiptar ka nivel të respektueshëm, por synoj që të arrij gjëra më të mëdha dhe për momentin nuk mund të them që do të rikthehem”, përfundoi ish-mesfushori i Skënderbeut.

Sibo duke festuar golin kunder Tiranes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *