Si u zbulua, takimi me idhullin dhe sakrificat: rrëfehet Keidi Bare

Keidi Bare, ashtu si shumë fëmijë, fillimet në futboll i ka pasur në rrugë. Më parë në vendin tonë fushat kanë qenë më të shumta, por tentohej të luhej kudo. Fieraku ka ikur i vogël nga shtëpia dhe sot po i gëzohet sakrificave të bëra prej tij dhe familjes.

“Që i vogël e kam pasur të qartë që doja të arrija larg në futboll. Shpresoj të ndodhë. Them se jam duke bërë mirë dhe uroj të vazhdoj kështu”, thotë Bare në një rrëfim të dhënë për “Canal Sur Radio”. Ai u zbulon spanjollëve shumë gjëra rreth vendit tonë dhe jetës së tij.

“Shqipëria është një vend i vogël, ka pak lojtarë që luajnë jashtë vendit. Jam larguar që në moshën 11-vjeçare, i vetëm. Familja ime për katër vite qëndroi në Shqipëri. Më pas u ktheva, për të ardhur në Spanjë, ku jam prej gjashtë vitesh”, tregon mesfushori, i cili këtë verë la Atletikon e Madridit dhe iu bashkua Malagës.

“Në familjen time më kanë edukuar në këtë mënyrë, që për të pasur një jetë më të mirë duhet të ikja jashtë. Kjo më ka bërë mirë, jam bërë më i pjekur. Gjithsesi është e vështirë, pasi je larg familjes. Kjo të bën më të matur dhe e sheh jetën ndryshe. E kujtoj shumë mirë. Kur ika nga shtëpia derdha lot. Kjo është jeta, futbolli është sakrificë”, shprehet Bare.

Fieraku vijon rrëfimin e tij: “Gjithmonë luaja në rrugë. Kështu një trajneri më zbuloi dhe i tha babait tim të më çonte në ekipin e tij. Më pas kam shkuar në Greqi, te Panathinaikos. Atje nuk mund të luaja, ishte çështje dokumentacioni”.

Transferimi në Spanjë i plotësoi edhe një ëndërr Bares: “Nuk e dija se do të shkoja tek Atletiko Madrid. më thirrën papritmas për të bërë një provë dhe shkova. Kam pasur mundësinë të takoja idhullin tim, Fernando Torres. Ishte si një ëndërr nga e cila nuk doja të zgjohesha. Tek Atletiko u sollën shumë mirë me mua”.

Në fund ai thekson se askush nuk e largoi nga Atletiko, por dëshironte të luante dhe të tregonte sa vlente. “Vendosa të vij te Malaga. Nuk më tha njeri të ikja nga Atletiko, kisha edhe një vit kontratë. Por në futboll nuk duhet të kënaqesh me pak, gjithçka është sakrificë. Jam në ekipin e parë prej trajnerit dhe të gjithë dëshirojmë të shkojmë shumë larg. Babai im gjithmonë më thotë se duhet të punoj për të ecur përpara”, përfundon Bare, i cili ka mbajtur shiritin e kapitenit te Shqipëria U21 dhe tashmë pret që të ftohet edhe në kombëtaren e madhe dhe të kthehet në një lojtar të rëndësishëm për të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *