Si ndryshon Skënderbeu ndaj Dinamos së Zagrebit

Ardhja e Ali Soue dhe largimi i Takut sjellin disa lëvizje. Për sulmuesin nga Gambia mendohet se mund të jetë titullar më 17 gusht

Leonard Trebicka

Skënderbeu ka mbyllur me sukses 6 ndeshjet e 3 tureve të para të Europa League, duke shkuar tashmë në “play-off”, ku e pret Dinamo e Zagrebit. Dy sezone më parë kaloi në grupet e Europa League, por nga Champions League, ndërsa tani ka bërë një rrugë të gjatë dhe është sërish pranë suksesit të madh. Sant Julia, Kairati dhe Mlada Boleslav janë skuadrat, që Skënderbeu i ka “hequr qafe”. Radhën e ka Dinamo e Zagrebit, një skuadër shumë herë më e fortë se tri të parat. Në këto 6 ndeshje trajneri Daja ka rreshtuar në fushë thuajse të njëjtin formacion, me ndonjë ndryshim të vogël. Përveç emrave të zakonshëm, në formacion kanë qenë edhe Afrim Taku, Gjergji Muzaka apo Sebino Plaku, ndërkohë që para Dinamos së Zagrebit ka sërish lëvizje. Afrim Taku i ka thënë lamtumirë Skënderbeut, por ndaj Dinamos së Zagrebit trajneri Daja ka edhe një përforcim, sulmuesin Ali Soue. Në fakt, një federim lejohet para ndeshjeve të “play-off”-it dhe nuk ka dyshime se do të jetë Soue, i cili është marrë për të shënuar sa më shumë gola. Edhe pse është ende herët, është e qartë se formacioni i Skënderbeut do të ketë ndryshime në sulm.
FORMACIONI – Me ardhjen e Soue dhe largimin e Takut, lëvizjet në formacion bëhen të detyruara. Formacioni nis me Shehin në portë, “heroin” e kualifikimit” ndaj Mladës. Katërshja e prapavijës është e palëvizshme. Vangjeli djathtas, Radas dhe Jashanica në qendër dhe Mici në krahun e majtë, do të kenë më shumë punë në Zagreb, pasi dihet kualiteti i kroatëve. Osmani do të vijojë të jetë në rolin e shkatërruesit, pasi ka zënë “rrënjë” aty. Edhe dyshja që luan me të në qendër të mesfushës, Lilaj-Nimaga, nuk ndryshon. I dyti në fakt u pa edhe në sulm ndaj Mladës, për nevoja të skuadrës në disa momente. Në krahë do të jenë kosovarët Enis Gavazaj nga e djathta dhe Liridon Latifi nga e majta. Shpesh ata ndërrojnë vendet me njëri-tjetrin. Dilema e vetme e trajnerit Daja është maja e sulmit, nëse do t’i besohet afrimit të fundit, Ali Soue, apo afrikanit tjetër Xhejms Adeni. Nëse Soue do të tregojë një formë të mirë sportive në seancat stërvitore, mund të luajë nga starti ndaj Dinamos më 17 gusht, në të kundërt Xhejms është gati. Gjithsesi, ka ende shumë kohë dhe mund të kemi edhe lëvizje të tjera, pasi trajneri kryeqytetas do të studiojë edhe kundërshtarin.

Formacioni i mundshëm i Skënderbeut
Shehi – Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici – Osmani – Lilaj, Nimaga, Gavazaj, Latifi -Soue (Xhejms)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *