Si është të luash ndaj Barcelonës? Olainka me sinqeritet: Në “Play Station” luaja në “Camp Nou”

Nëse besoni se ëndrrat janë të pamundura që të arrihen, atëherë hidhini një sy karrierës së Peter Olainkës. Ndoshta mund të ketë edhe kritika për mediat shqiptare dhe lajmet e shumta që bëhen për këtë sulmues, por rasti i tij, është vërtet për t’u bërë shembull dhe për t’i bërë jehonë me të madhe.

Një nga ato rastet kur e nis me hapat e vegjël, për t’u zhvilluar dhe për të mbërritur në “Camp Nou”. Askush nuk i dhuroi asgjë, përkundrazi, do të ishte vetë Olainka që do të fitonte gjithçka. Debuton në “Champions League” me një gol ndaj Interit në transfertë, ndërsa është një prej lojtarëve më të mirë në “Camp Nou” ndaj Barcelonës.

Ky është një leksion i qartë se gjithçka varet në duart tona dhe e pamundura nuk ekziston. Por si ishte ai stadium mitik për Olainkën? Në intervistën e dhënë për faqen e klubit, sulmuesi do të shprehej: “Ishte ëndrra ime të gjendesha këtu. Në “Play Station” luaja në Camp Nou me Barcelonën. Tashmë kam ëndrrën që më bëhet realitet. E shoh skuadrën shumë herë më të motivuar jashtë dhe kjo ndikon për pikët që ne kemi marrë ndaj Interit dhe Barcelonës”, u shpreh Olainka. /Sport Ekspres/