Si është e mundur? Son Heung-Min shënon si Maradona, të gjithë të habitur me Tottenhemin

Tottenhem është “çmendur” ditën e sotme dhe duket se Mourinho ka ditur sit a shfrytëzojë potencialin që ky grup mund të ofrojë. Londinezët kanë qenë të papërmbajtshëm kundër Burnley-t, të cilët i kanë mposhtur bindshëm me rezultatin 5-0. Goleadën do e hapte Kane, që në minutën e 4-t të takimit ka realizuar një gol fantastik me anë të një goditjeje nga distanca.

Vetëm 5 minuta më vonë Spursat do të dyfishonin me anë të Lucas Mouras, ndërsa në të 32-tën do të ishte koreano jugori Son, që do i mahniste të gjithë. Një gol i ardhur në versionin Maradona, teksa Son është vënë në zotërim të topit nga zona e tij për të nisur më pas driblimin, duke mos u ndalur deri sa është gjendur përballë portierit në zonën kundërshtare, duke dërguar kështu topin në rrjetë për të 3-tën herë.

Por magjia e Tottenham nuk mbaron këtu, pasi Kane ka edhe një tjetër gol spektakolar për të dhuruar. I gjendur në hyrje të zonës, sulmuesi anglez lëshon një të djathtë potente, që e ndal topin në trekëndësh. Edhe pse në krahun e duhur, portieri kundërshtar nuk mund të bënte asgjë në atë moment. Për të mbyllur gjithçka do të mendonte Sissoko, që do të realizonte edhe golin e 5-të dhe të fundit të takimit në minutën e 74./Sport Ekspres/