“Si emigrimet në vitet 1950”, Jahmir Hyka tregon peripecitë me Lilajn: Nuk kishim ku të flinim dhe hëngrëm në “McDonalds”, ngecëm në Gjermani 28 orë

Nga Klaudio Ndreca

“Udhëtimi i Jahmir Hykës dhe Sabien Lilajt pas mbërritjes në Izrael dhe nisjes nga Shqipëria pas Koronavirusit, të kujton emigrimet në vitet 1950 në “Tokën e Shenjtë” dhe më pak epokën moderne”, është kjo mënyra sesi “IsraelElhayom” e përshkruan ndodhinë e fundit të lojtarëve shqiptarë.

Fati i tyre i vetëm është që e nisën këtë rrugë së bashku, ndërsa janë pjesë e skuadrës së Ness Ziona. Nga Shqipëria nuk kishte një linjë direkte për në Izrael dhe për këtë arsye i janë dashur dy ditë për të mbërritur në destinacion. Vetë Jahmir Hyka tregon se nuk kishte një vend se ku të flinin dhe kanë ngrënë në “McDonalds”, pasi ishte e vetmja mënyrë për t’u ushqyer dhe nuk kishte mundësi të tjera.

“Na u deshën dy ditë për të shkuar nga Shqipëria në Izrael. Në ditët normale është një fluturim më pak se katër orë. Ne u përpoqëm që të gjenim një zgjidhje për të arritur direkt në Izrael, por nuk kishte fluturime, vetëm njëherë në javë. Për këtë arsye menduam zgjidhjen tjetër, për të shkuar fillimisht në Gjermani dhe prej andej vazhduam në Izrael.

Në fund gjetëm një fluturim për në Tel Aviv, por vetëm një ditë më vonë. Pastaj zbuluam se nuk kishim se ku të flinim në Frankfurt. Nuk mund të dilje as nga aeroporti për shkak të procedurave qeveritare për shkakun e Koronavirusit. Ishin plot 28 orë që duhej të prisnim, gjetëm një cep të vogël për të fjetur dhe kjo është e gjitha.

Çfarë hëngrëm? Normalisht që ne jemi sportistë, por atje nuk kishte asgjë tjetër për të ngrenë veçse McDonalds. Ne kryesisht kemi ngrënë atje dhe pimë shumë kafe. Duhej të hanim diçka në dy ditë.

E dija që nuk do të ishte e lehtë, por nuk e imagjinova një udhëtim kaq të gjatë. Por isha me fat që këtë udhëtim e përshkrova me Sabien Lilajn. Nuk e kam prekur topin që prej dy muajsh pasi edhe në Shqipëri nuk mund të dilnim nga shtëpia dhe nuk mund të praktikohesha”, tha Hyka. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *