Shvajni në SHBA: Më vjen keq që nuk bëra më shumë

0

Bastian Shvajnshtajger nuk do të jetë më një lojtar i Mançester Junajtidit. Edhe pse ka dhe një vit kontratë me “Djajtë e kuq”, mesfushori gjerman i ka dhënë fund aventurës në “Old Trafford” për të nisur një të re në kampionatin amerikan MLS League me klubin Çikago Fajër. Marrëveshja mes palëve është mbyllur në orët e para të së martës ndonëse për zyrtarizimin e tij do të priten dhe analizat mjekësore. Lajmi është bërë me dije nga gazeta e Çikagos “Chicago Tribune”, teksa Shvajni do të firmosë për një vit me klubin e tij të ri. sipas marrëveshjes, Bastian Shvajnshtajger do të përfitojë rreth 4.5 milionë euro në sezonin që ai do të luajë për klubin e tij të ri.

Reagimi i Shvajnit – Ndërkaq pas lajmeve të ardhur nga përtej Atlantikut ka reaguar dhe vetë Bastian Shvajnshtajger. Mesfushori i Mançester Junajtidit ka lënë një mesazh për të gjithë tifozët e Mançesterit, duke nënvizuar faktin se do të kishte dashur të jepte shumë. “Gjatë gjithë karrierës time i kam parë mundësitë që më janë dhënë si një rast i mirë për të pasur një ndikim pozitiv në klubet që kanë treguar besim tek unë. Edhe lëvizja ime tek Çikago nuk ndryshon. Gjatë bisedës që kam pasur me shefin e klubit si dhe me trajnerin Veljko Paunoviç jam bindur për projektin që ata kanë, vizionin që kanë për të ardhmen dhe filozofinë e këtij klubi. Kam marrë vendimin për të shkuar atje për të dhënë edhe unë kontributin tim”- ka thënë Basti.

Keqardhja për largimin – Më pas Shvajni i është kthyer klubit të tij aktual, duke nënvizuar se vendimi për t’u larguar nuk ka qenë i lehtë. “Nuk ka qenë një vendim i lehtë për mua. Jam i trishtuar sepse po largohem duke lënë shumë miq në Mançester. Por dua të falënderoj klubin që më dha mundësinë të isha i lirë në zgjedhjen time për t’iu bashkuar Çikagos. Jam argëtuar jo pak në Mançester, jam ndier mjaft mirë me trajnerin, shokët e ekipit dhe stafin dhe nuk më mbetet veçse t’i uroj suksese në të ardhmen. Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë tifozët e Mançesterit, që më kanë mbështetur nga dita e parë këtu. Do të kisha dashur të jepja shumë më tepër nga çfarë munda të bëj, por tani është koha për të çelur një kapitull të ri”- ka thënë Shvajnshtajger.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here