Shuplaka e dytë nga Kosova, si po na e “zhytin” Superioren

Në Kosovë, edhe pse u stepën fillimisht, sot kanë kaluar amendamentin që u jep mundësinë kompanive që investojnë në sport që të shkarkojnë 30% të taksës së tatimit mbi fitimin. Kështu hapet rruga për zbatimin e Ligjit mbi Sponsorizimin. Kjo i jep një frymëmarrje sporteve dhe futbollit në veçanti. Para pak ditësh ligji nuk kaloi, por mesazhi i klubeve ishte i qartë: “Bojkotojmë!”

Reagim i menjëhershëm nga klasa politike, që sot u mblodh në një seancë plenare të jashtëzakonshme dhe klubet në Kosovë mund të buzëqeshin. Në Shqipëri ende jo, madje edhe ligjin që mendohej të parandalonte dhunën në stadiume ende nuk e kanë kaluar. Propozimet për një paketë të re fiskale as që kanë ndërmend t’i marrin parasysh komisionet e posaçme parlamentare.

Është çështje vullneti dhe në Shqipëri mungon. Mungon edhe ai mendimi që sporti është një e mirë publike dhe duhet mbrojtur, duhet mbështetur dhe zhvilluar. Ato të ardhura që do t’i mungojnë buxhetit i kthehen shoqërisë në forma të ndryshme. Sigurisht të mirat “e padukshme” të sportit nuk është se “i hyjnë në xhep” politikanëve tanë.

SUPERIORJA – Shuplaka e parë ishte për klasën politike. Në Kosovë “i mbyllën sytë” dhe votuan në të mirë të sportit. Shuplaka tjetër ishte për Superioren, kampionatin elitar të futbollit në vend. Kjo verë i ka trazuar shumë gjërat, pasi drejt klubeve dardane po shkojnë një numër i madh lojtarësh. Pse ndodh diçka e tillë?

Pagat. Ofertat që po marrin lojtarët në vendin tonë nga klubet që garojnë në Ipko Superliga janë marramendëse. Në vendin tonë një pjesë e mirë e tyre nuk marrin as gjysmën, pasi klubet gradualisht e kanë kuptuar që duhet pasur kujdes me pagat. Në Kosovë nuk e kanë problem, Ligji për Sponsorizimet ua jep një dorë.

Të ndodhur në këto kushte, tashmë klubet e Superiores do të duhet të bëhen bashkë dhe të kërkojnë rritjen e numrit të të huajve në kampionat. FSHF e ka kundërshtuar shpesh dhe me të drejtë, por me këtë eksod të lojtarëve nga Shqipëria drejt Kosovës, mund të shikohet si shpëtimi i vetëm për momentin. Ose ndoshta duhet sërish bojkot, që qeveria të kujtohet se ka premtuar diçka që duhet ta realizonte në 100 ditë. Koha ka ardhur që politika ta marrë me seriozitet sportin. Boll më!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *