Shumë polemika në fund, Ngo i qeshur: E preka me dorë? Nuk e mbaj mend, por di që bëra gol  

Tirana ka arritur të fitojë me rezultatin 2-1 ndaj Bylisit në një çmenduri të madhe. Tre pikët e radhës janë marrë në sekondat e fundit të takimit pasi Ngo arriti të dërgonte topin në rrjetë në shansin e fundit për bardheblutë. Ndërkohë më poshtë mund të gjeni edhe intervistat e dy trajnerëve menjëherë pas ndeshjes për “Supersport”:

Egbo (Tirana): “Tirana fitoi pasi ne kemi duruar deri në momentin e fundit. Te goli i dytë ka qenë shumë rrëmujë, ka pasur përplasje në zonë dhe unë nuk shoh ndonjë faull, është shumë gol i qartë. I thashë djemëve që asnjëherë nuk duhet që ta lëshojmë lojën. Unë mund të them që edhe te ajo penalltia që iu dha Bylisit duhet parë nëse Doka e preku topin me dorë apo me gjoks. Vangjeli vazhdon akoma si mbrojtës sepse nuk është mirë të ndryshohet ekipi fitues dhe Osmani nuk është mirë ende te 100% i tij. Ernest Muçi do të futet gjithmonë në kohën e duhur, nuk ka vend për polemika. Zoti ka qenë me ne siç ka qenë gjithmonë dhe ai na e dha këtë fitore. Kur njeriu bën yzmetin punës, ai të jep meritat”.

Dovedan (Bylis): “Deri diku jam i kënaqur me lojën, por jam irrituar me golin. Kur janë 4 minuta shtesë, si mund të bëhet goli në minutën e 6 shtesë? Këtë nuk e kuptoj. Kam pretendimet e mia edhe kur u dha ai faulli në momentin e fundit pasi Goxha nuk pati kontakt. Për më tepër kemi edhe pretendimet se ishte pozicion jashtë loje goli i dytë. Ajo ishte edhe faull edhe pozicion jashtë loje për mua”.

Ngo (Tirana): “Nuk e mbaj mend nëse e preka topin me dorë apo jo, thjeshtë e di që bëra gol. Ishte një rrëmujë e madhe aty në zonë, unë pashë topin dhe mendova ta fus në rrjetë së bashku me kundërshtarin. Të them të drejtën faza përgatitore në Antalia dhe përshtatja sërish në Shqipëri ka ndikuar në nivelin tonë. Por Tirana po arrin që të dominojë lojën ashtu siç ndodhi edhe sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *