Shtubina, mbrojtës i majtë: Garantoj për lojë të pastër  

0

Në kushtet kur mungesat janë të shumta, teknikut Cungu i është dashur ta “arnojë” formacionin. Fakti që kapiteni Shtubina detyrohet të kthehet në rolin e mbrojtësit të majtë, tregon problematikën në prapavijë. Pasi ka provuar në forma dhe mënyra nga më të ndryshmet, dje Cungu projektoi një formacion, që duket se do të jetë ai, që do të zbresë në fushë të dielën kundër Partizanit. Në portë do të jetë Selimaj, që tashmë e ka fituar “betejën” me malazezin Agoviç. Pastaj, nga mbrojtja në mesfushë e sulm, ka ndryshime emrash dhe vendesh, lëvizje të detyruara për trajnerin Cungu. Kur priste të përfitonte nga mungesa e Bakajt për të kaluar në majë të sulmit, kapiteni Shtubina është kthyer në rolin e mbrojtësit të majtë, që e ka provuar edhe herë të tjera, kur skuadra ka pasur nevojë. Cungu ka preferuar që Pjeshkën, i cili prej disa javësh ka luajtur si mbrojtës i majtë, ta kalojë në qendër, përkrah Bicajt, duke mbyllur boshllëkun e Vrapit, ndërsa në të djathtë do të jetë përsëri Gurishta. Shkatërrues qëndron përsëri Gocaj, në mungesë të Krymit. Ai do të ketë në krah Krujën dhe Tafilin, ndërsa përpara do të luajnë Çinari dhe Kalaja, ndërkohë që në majë pritet të luajë nga minuta e parë Rubin Hebaj. Të paktën ky është rreshtimi, që Cungu aplikoi në seancën e djeshme dhe, me të gjitha gjasat, do të jetë zyrtarisht ai i fushës për të dielën.

OPTIMIZMI – Edhe pse problemet në kampin kuqeblu janë të panumërta, kapiteni Ndriçim Shtubina merr përsipër që, në emër të skuadrës, të përcjellë optimizmin se Vllaznia do t’ia dalë në këtë ndeshje. “Mungesa ka, por atmosfera në skuadër është e mirë. Jo vetëm me Kukësin, por ka disa javë, që po luajmë mirë dhe po marrim pikë. Shpresojmë ta ruajmë këtë gjendje dhe të hedhim poshtë disa fjalë të pavërteta”, – shprehet Shtubina për “Sport Ekspres. Për mungesat ai shton: ”Kemi lojtarë të dëmtuar, me kartonë, madje janë 5-6 titullarë, por edhe ata që do të futen në fushë, do të japin maksimumin, pasi e kanë treguar veten. Kam besim dhe garantoj se Vllaznia ka për të luajtur fort, pastaj rezultati është edhe punë fati. Për mendimin tim, kur skuadra ka gjendje të mirë, shprehet lirshëm.”

PRESIONI – Më tej Shtubina pranon se  Vllanzia është nën një presion të madh, por merakun më shumë e ka te të rinjtë, të cilët nuk janë mësuar me këtë klimë. “Të them të drejtën, kam hallin vetëm të djemve të rinj, pasi nuk janë mësuar me të tilla fjalë dhe mund të habiten me atë çfarë dëgjojnë. Ne lojtarëve me përvojë këto lloj gjërash nuk na bëjnë përshtypje. Do të japim maksimumin dhe skuadra nuk është se ndikohet nga këto fjalë. E them me sinqeritetin më të madh dhe me besimin më të madh për tifozët se Vllaznia do të luajë futboll të pastër dhe të fortë. Të premtoj rezultatin, e kam të vështirë, sepse është futboll dhe nuk i dihet, por garantoj se skuadra kë për të luajtur fort dhe pastër. U bëj thirrje tifozëve të vijnë në stadium dhe të shikojnë ndeshje të vërtetë”, – u shpreh kapiteni kuqeblu.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here