Shtubina i qëndron besnik Vllaznisë

0

 

Kapiteni rinovon edhe për dy sezone të tjerë. Të njëjtën gjë pritet ta bëjnë këto ditë edhe titullarët; Vrapi, Cicmil dhe Marku

 

Gaspër MARKU

 

Ndriçim Shtubina është futbollisti i parë që firmos në kampin kuqeblu për sezonin 2016-2017. Mesfushori shkodran, ai që mbajti shiritin e kapitenit të skuadrës për sezonin e shkuar nuk ka zgjatur shumë dhe pas takimit të parë me administratorin e klubit Vllaznia, Astrit Gjyrezi, nuk ka nguruar të firmosë.

Burimet zyrtare pranë Klubit të Futbollit Vllaznia bëjnë të ditur për “Sport Ekspres” se kontrata e firmosur nga ana e kapitenit Shtubina është për një afat dyvjeçar. Falë performancës mjaft të mirë që pati në radhët e kuqebluve për sezonin e kaluar, ku edhe arriti të shënoi gjashtë gola për Vllazninë, për Shtubinën patën shfaqur interes edhe disa skuadra të Kategorisë Superiore.

Madje, disa prej tyre nuk nguruan të përcillnin në adresë të Shtubinës ofertat përkatëse, ende pa u mbyllur zyrtarisht afati i kontratës që ai kishte me Vllazninë, skadimi i së cilës ishte me datë 31 maj. Megjithatë, edhe pse për momentin pati edhe ndonjë ide për largim të Shtubinës nga Vllaznia, vetë kapiteni duket se nuk e ka menduar asnjëherë divorcin me kuqeblutë. Ndaj me të filluar procedura e negociatave me drejtuesit e klubit, që në takimin e dytë i ka thënë “po” administratorit Gjyrezi.

Firmosja e tij me Vllazninë vjen në një moment kur kapiteni kuqeblu po shijon ditët e pushimit me familjen e tij, në gjirin e së cilës krahas djalit të parë Andris pak ditë më parë erdhi në jetë edhe djali i dytë i çiftit “Shtubina”. Kësisoj me urimet për një mbyllje të kampionatit brenda objektivave të qëndrimit në Superligë, madje me një renditje përtej parashikimit të vendit të gjashtë, lindja e djalit të dytë dhe tani edhe firma rinovuese e kontratës me Vllazninë përbëjnë tre lajme njëri pas tjetrit mjaft të gëzueshme për të.

Por, jo vetëm për individuale për Shtubinën, sepse firmosja e ditës së djeshme nga ana e kapitenit që ishte edhe e para nga kontingjenti kuqeblu për këtë sezon, shërben edhe si një nxitje dhe garanci edhe për kolegët e tjerë. Pritet që ata që të bëjnë të njëjtin veprim në ditët në vazhdim, për të bërë të mundur konturimin e skuadrës kuqeblu me lojtarët e duhur, në mënyrë që ky sezon i ri futbollistik të jetë ndryshe nga ato të mëparshmit, larg etheve të fundit të tabelës së klasifikimit për të qenë në mesin e ekipeve më të mira të kampionatit.

Kësisoj, në këtë këndvështrim, burime zyrtare pranë klubit kuqeblu bëjnë të ditur se në ditët në vazhdim pritet që të njëjtën gjë të bëjë edhe zv.kapiteni Antonio Marku, për të vijuar më pas edhe dy futbollistët e tjerë jabanxhinj, Endri Vrapi dhe malazezin Stefan Cicmil, që të tre pjesë e repartit të mbrojtjes, të cilët së bashku me Shtubinën në cilësinë e titullarit kanë mbajtur peshën kryesore të skuadrës për sezonin e kaluar futbollistik.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.