Shtohen kandidatët për mbrojtjen e Flamurtarit

0

Vlonjatët vazhdojnë të jenë ende mjaft aktivë në merkaton e verës. Aktualisht, pasi janë përforcuar në repartet e mesfushës dhe të sulmit, vëmendja e tyre mbetet mbrojtja. Dhe më saktë afrimi i një lojtari, që mund të luajë në krahun e djathtë të këtij reparti, rol që ka mbetur i lirë pas largimit të Hektor Idrizajt drejt Skënderbeut. Në këtë post mund të luajnë edhe lojtarë të rinj, të cilët kaluan provën gjatë seleksionimit njëjavor të trajnerit Gugash Magani, por te Flamurtari dëshirojnë një përforcim sa më cilësor. Emrat nuk kanë munguar, madje edhe kontaktet, madje informacionet e fundit flasin se vlonjatët pritet të sigurojnë shërbimet e një lojtari kosovar, që luan në Gjermani, për postin e mbrojtësit të djathtë. Për momentin nuk ka ende asgjë konkrete. Pritet që në ditët në vijim të mësohen më shumë detaje rreth këtij transferimi, nëse do të arrihet të realizohet. Ndërkohë, veç mbrojtësit slloven Dezhmar, i cili ka nisur provën te vlonjatët dhe për të pritet të vendoset brenda pak ditësh, në skenë ka dalë një tjetër emër. Bëhet fjalë për boshjakun Toni Mariç, lojtar që ka luajtur kryesisht në kampionatin e vendit të tij, por edhe në kategorinë e dytë të kampionatit polak gjatë edicionit të fundit. Të dhënat flasin për një lojtar 25-vjeçar, 1.9 m i gjatë. Me lojtarin që pritet të vijë edhe ai në provë, por edhe me Dezhmar, si dhe me rikthimin e Veliut, mbrojtja e Flamurtarit do të forcohej ndjeshëm, por ndoshta jo të gjithë këta do të jenë pjesë e kësaj skuadre për sezonin e ri. Gjithsesi, dilemat pritet të zgjidhen shumë shpejt dhe të mësohen edhe emrat e lojtarëve, që do të jenë ose jo pjesë e Flamurtarit për sezonin e ardhshëm.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here