Shtatë vjet histori, RB Lajpcig në Champions League, por a do të lejohet të luajë?

0

Përralla e futbollit modern është pa dyshim Lester Siti, një skuadër që bëri të ëndërronin miliona tifozë anembanë botës vitin e shkuar, kur fitoi titullin kampion në Angli, duke dhënë një mesazh të madh për të gjithë: nuk fitojnë gjithnjë vetëm të pasurit dhe skuadra që kanë yje.

Ndërkaq, edhe Gjermania ka një përrallë më vete, që quhet RB Lajpcig, emri i plotë RasenBallsport Leipzig e.V., për të evituar emërtimin Red Bull, që ndalohet nga federata gjermane e futbollit (nuk lejohet që klubet të kenë emrin e sponsorit/pronarit).

Gjithsesi, e vërteta është që RB nënkupton Red Bull, kompania e famshme e pijeve energjike, që në vitin 2009 e themeloi klubin pas blerjes së licencës nga SSV Markranshtedt.

Plani ishte që brenda 8 vitesh Lajcigu të kishte një klub në Bundesligë: tani, pas 8 vitesh, plani është tejkaluar dhe në mënyrën më të pabesueshme RB Lajpcig jo vetëm që debutoi në Bundesligë këtë sezon, por tashmë është kualifikuar zyrtarisht për në Ligën e Kampioneve, pas një sezoni madhështor, ku u duk kërcënimi i vetëm real për Bajernin e Mynihut. Me 20 fitore, RB Lajpcig ka barazuar edhe rekordin e Bajernit në 1965/66 për më shumë fitore nga një klub debutues në Bundesligë. Rekord i ri në horizont, por edhe rekord negativ, sepse tashmë ky klub është më i urryeri në Gjermani, urrejtje që buron nga milionat pa fund investuar nga Red Bull, që kur klubi luante mes fshatrave…

Megjithatë, këtu nis një histori tjetër, më pak e bukur: a do të lejohet RB Lajpcigu të marrë pjesë në Champions League?

Rregullat e UEFA-s janë të qarta: në kupat e Europës lejohet të marrë pjesë vetëm një klub, në rast se dy ose më shumë klube zotërohen nga i njëjti pronar.

Red Bull zotëron edhe Red Bull Salcburgun, që ka fituar sërish titullin në Austri dhe këtu lind konflikti: UEFA pranon vetëm njërin klub dhe vendi në Champions League i takon Red Bull Salcburgut, pasi është kampion, ndryshe nga Lajpcigu, i dyti aktualisht në Bundesligë.

Tani pritet një betejë e gjatë, me Red Bullin që me siguri do të mbrohet duke e konsideruar veten thjesht sponsor dhe duke përmendur faktin që Lajcigu nuk përmban Red Bull në emrin e vet, por është e qartë që UEFA është në një siklet të jashtëzakonshëm: nëse mbyll njërin sy, çfarë do të ndodhë nëse këto dy klube vendosen në të njëjtin grup, apo përballen më tej? Dhe së dyti, çfarë do ta ndalonte më pas çdo pronar klubi të blejë 4-5 klube, t’i çojë në kupat e Europës dhe thjesht të mos vendosë emrin e vet si pronar klubi?

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here