“Shqiptarët të bëhen më të zgjuar”, Mezani i irrituar me rregullat: Nuk mund të më heqësh lirinë pa arsye

Periudha në të cilën ndodhemi është e pazakontë dhe shumë njerëz e kanë përjetuar në mënyrë të aspak të mirë. Rregullat e vendosura nga qeveritë për izolim shpesh kanë hasur debate, ndërsa kundër tyre është edhe Gentjan Mezani. Trajneri shqiptar ka qenë i ftuar në “Fan Zone”, ku ka shprehur gjithë pakënaqësitë e tij në lidhje me karantinimin.

Mezani së bashku me disa futbollistë të Gjilanit mbetën të izoluar në konviktet e Prishtinës, ku në Kosovë karantinoheshin të gjithë ata që vinin në vendin e tyre. Një situatë e tillë ka qenë stresuese për teknikun vlonjat, që shton se rreziku më i madh për infektim qendronte pikërisht në ato ambiente, ndërsa shprehet se nuk është e drejtë të hiqet liria e askujt.

Futbollistët sipas tij do të jenë maksimumi në 80% të formës së tyre, pasi mungesa e gjatë pa u stërvitur ka sjellë pasojat e veta. Rifillimi është afër dhe Mezani shpreson në një hap pozitiv në ndeshjen e parë, ndërsa bën me dije se objektiv për ekipin e tij është titulli kampion

“Është e ekzagjeruar kjo që ndodhi, duke i hequr pavarësinë njerëzve. Është stresuese dhe e vuajtshme të mendosh që duhet të rrish i izoluar kur vjen nga një vend i pastër dhe nuk ke pasur kontakte me persona të infektuar.

Futbollistët janë më të qetë se janë në shtëpitë e tyre. Aty ishte rreziku më i madh, sepse në një kat kishte 50-60 veta. Sepse mund të vinin njerëz pozitiv që nuk ishin testuar më parë dhe mund të infektonin të tjerët. Madje kanë dalë 2-3 raste. Mendonim se vetëm do testoheshim dhe në rast se do dilnim negative do të largoheshim. Por këto ishin rregullat. Nëse unë dal negativ atëherë çfarë sensi ka të izolohem. Nuk mund t’i heqësh lirinë tjetrit pa asnjë arsye. Shqiptarët duhet të jenë më të zgjuar për këto situata. Të marrin shembull Europën jo Kinën komuniste.

3-4 ndeshjet e para do të jenë të vështira, jo vetëm për ne po për të gjitha skuadrat. Problematika është edhe se nuk do të kemi miqësore, madje kemi pasur edhe sportistë që kanë qenë të izoluar dhe nuk janë stërvitur. Një sportist që nuk është stërvitur për 2 muaj është njeri i zakonshëm, nuk është më sportist. Klubi bëri të pamundurën që ne të dilnim nga konvikti ku u karantinuam në Prishtinë, i konsumoi të gjitha energjitë. Terreni jashtë ishte shumë i mirë dhe mund të zhvillonim seanca stërvitore. E kemi bërë një kërkesë e tillë, por nuk u aprovua. Medoj që maksimumi 80% gati do jemi për rifillim. Lojtarët në izolim me mua janë pesha e skuadrës. Synojmë titullin këtë vit dhe shpresoj të bëjmë hap pozitiv në ndeshjen e parë”, është shprehur Gentjan Mezani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *