Shqipëria peshkon te ish-ekipi i Ibrahimoviçit!

Luajnë me Malmon dhe po provohen në turneun amerikan: Laurent Shabani dhe Egzon Binaku mund të jenë “prurjet” e reja kuqezi

Nga Anton Cicani

Kristian Panuçi vijon në punën e tij për të gjurmuar dhe për të nxjerrë “flori” nga “minierat” e ndryshme që përmbajnë futbollistë shqiptarë, qoftë edhe me origjinë nga prindërit. Mjafton një damar kuqezi dhe menjëherë, sinjalizimi, raportimi dhe takimi, për të arritur të bindja që të vishet fanella e Shqipërisë. Sigurisht, konkurrenca me Kosovën është e madhe, sidomos tani, duke nisur me futbollistë që kanë një moshë nga 14 deri në 18-vjeç, por natyrisht që Shqipëria mbetet alternativa e parë.

Natyrisht, rasti i Kamer Qakës ishte ai që i hapi rrugë “peshimeve”, siç i quante edhe De Biazi kur mbërriti në stolin e Shqipërisë dhe e nisi me Suedinë dhe fshatin e harruar të Kalmarit, duke gjetur portierin Berisha pas disa sinjalizimesh. Kështu, puna e Panuçit do të jetë në këtë aspekt. Dhe, pas Edon Zhegrovës, që ka përfunduar në “radarët” e trajnerit italian, “Sport Ekspres” ka mësuar se pikërisht në Suedi kanë përfunduar “tentakulat” e Panuçit. Dy emrat e spikaturjanë Egzon Binaku dhe Laorent Shabani, që aktivizohen me ekipin e Malmos, ish-skuadra e Ibrahimoviçit, që njihet për “lëvrimin” e futbollistëve me prespektivë. Të dy po provohen në fazën përgatitore që suedezët janë duke zhvilluar në Amerikë, ku dje kanë luajtur ndaj Nju Inglland

Shabani – Quhet Laorent Shabani dhe ka kontratë deri në vitin 2019 me Malmon. Ka dalë nga të rinjtë e skuadrës dhe deri përpara pak kohësh ishte pjesë e tyre, por trajneri është duke e provuar me ekipin e parë. Mesfushori 18-vjeçar është më origjinë nga Kosova, Gjilani, teksa familja e tij u shpërngul në Suedi. Ai ka që në vitin 2005 me Malmon, teksa ka veshur fanellën e moshave të Suedisë (U-19, U-18 dhe U-16). Suedia po e mban nën vëzhgim, por familja e tij ka pasur kontakte me persona dhe “scout” të angazhuar nga federata e shqipërisë. Shabani ka rol organizatori, por mund të bëjë edhe lojtarin e krahut.

Binaku – Futbollisti tjetër i Malmos, por jo produkt i kësaj shkolle, pasi vjen nga Haken, është 22-vjeç dhe ka veshur gjithashtu fanellën e Suedisë U-21, për dy ndeshje. Pritshmëria për të është më e

madhe dhe mund të luajë si mbrojtës i djathtë, ashtu edhe në të majtë. Ndërsa për Shabanin, kontaktet vijojnë dhe po shkojnë drejt një epilogu pozitiv, për Binakun, që gjithashtu po provohet në turneun amerikan dhe luajti ndaj Nju Inglland.

Rasti i humbur – Shqipëria po tenton të mbajë të gjithë nën kontroll, edhe pse s’është e lehtë. Vetëm pak kohë më parë, ndoshta humbëm Ramen Cepelen, që aktivizohet me U-15 e Interit, duke qenë zëvendës kapiten i zikaltërve. Futbollisti i datëlindjes 2003 luan si qendërmbrojtës dhe cilësitë e tij të mira kanë zgjuar edhe interesin e Italisë. Eduasportin.com mësoi se zyrtarët e Federatës italiane nisën kontaktet me lojtarin dhe duan ta afrojnë me ekipet e tyre kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *