Shqipëria niset për në Tarragona, Izmir Smajlaj flamurmbajtës

0

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, dorëzon flamurin për delegacionin kuqezi në Lojërat Mesdhetare

Gjergj Vyshka

Izmir Smajlaj, Kampioni i Evropës në salla të mbyllura në kërcim së gjati më 2017-ën, por dhe Kampion Ballkani, po në salla të mbyllura, më 2018-ën, do të jetë flamurmbajtësi i Shqipërisë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Mesdhetare në Tarragona. Kështu ka ndodhur dje, ndërsa Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dorëzuar flamurin për delegacionin shqiptar, që do të konkurrojë në Lojërat Mesdhetare nga 22 qershor deri më 1 korrik. Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë ceremoni, Presidenti Meta, duke iu drejtuar sportistëve, tha se në këto Lojëra ekipi ynë olimpik i ka të gjitha shanset që të ketë rezultate shumë të mira. “Është kënaqësi e veçantë që t’ju pres të gjithëve sot në prag të Lojërave Mesdhetare, që do të zhvillohen në Spanjë, dhe me këtë rast t’ju uroj suksese në këto Lojëra, për të cilat ju jeni përgatitur për një kohë të gjatë me një dëshirë dhe me një qëllim për të përfaqësuar sa më mirë Shqipërinë dhe për të përfaqësuar në mënyrën më dinjitoze flamurin tonë kombëtar”, ka thënë fillimisht presidenti i Republikës, Meta, i cili nuk ka lënë pa thumbuar Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar për rastin e përjashtimit të peshëngritjes nga Lojërat Mesdhetare.

“Nuk jam shumë i lumtur që peshëngritja nuk merr pjesë në këto Lojëra, sepse do të isha shumë i qetë për medaljet që do të vinin. Por përsëri kam besim se, pavarësisht nga këto arsye, përsëri këtu kemi mjaft sportiste dhe sportistë, të cilët i kanë të gjitha mundësitë për të sjellë në vend medalje dhe vende nderi, të cilat do të ishin jashtëzakonisht mjaft të mirëpritura dhe të duartrokitura nga të gjithë shqiptarët, aq më tepër në këtë vit që ne e përjetojmë si vitin e heroit tonë kombëtar Skënderbeut. Shqipëria ka arritur në Lojërat Mesdhetare historikisht rezultate shumë të mira dhe shumë pozitive në të gjitha sportet dhe unë besoj që edhe në këto Lojëra ne i kemi të gjitha shanset falë përkushtimit, pasionit dhe talentit tuaj që përsëri të kemi rezultate shumë të mira”. Dhe i pari i shtetit shqiptar ka pasur dhe një kënaqësi për vendin e tretë të kombëtares së volejbollit të femrave në Ligën e Evropës, grupi i argjendtë. “Jam shumë i gëzuar edhe për rezultatet e ekipit të volejbollit të femrave, rezultatet e fundit tregojnë një rizgjim të asaj tradite të shkëlqyer që ne kemi pasur në këtë sport dhe në këtë përfaqësim dhe padyshim edhe në shumë fusha të tjera të sportit, sidomos në atletikë”, tha Presidenti Meta.

 

Flamurmbajtësi Izmir Smajlaj

Duke i uruar suksese dhe përfaqësim sa më dinjitoz të ngjyrave kuq e zi, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ia dorëzoi Flamurin Kombëtar kampionit të Ballkanit dhe Evropës në kërcimin së gjati, atletit Izmir Smajlaj. “Faleminderit shumë z. President! Është një nder dhe krenari për mua që të mbaj flamurin tonë kombëtar. Shpresoj që e gjithë skuadra olimpike të sjellë rezultate sa më pozitive dhe sa më shumë medalje”, deklaroi atleti Smajlaj.

Lista e sportistëve pjesëmarrës në “Tarragona 2018”

Atletikë: Izmir Smajlaj (Kërcim së gjati), Luiza Gega (3000 metra me pengesa, 1500 metra), Relaksa Dauti (800 metra), Franko Burraj (400 metra) Trajnerë: Taulant Stërmasi, Gjergji Ruli

Boks: Ardit Murja (pesha 52 kg), Krenar Zeneli (pesha 56 kg), Arjon Kajoshi (pesha 75 kg), Bekim Vjerdha (pesha 81 kg) Trajnerë: Zef Gjoni, Jozef Sermi

Çiklizëm: Ridion Kopshti, Eugert Zhupa, Marolino Hoxha, Xhuljano Kamberaj, Ylber Sefa Trajnerë: Luan Sallaku

Hark: Jurgen Hoxha, Ermir Çina, Sibora Dingu

Xhudo: Aurora Shkoza (pesha 57 kg), Indrit Çullhaj (pesha 66 kg), Jon Vrenozi (pesha 75 kg) Trajner: Shkurt Çullhaj

Karate: Xhino Toli (pesha 67 kg), Bekim Basha (pesha 75 kg) Trajner: Ramiz Ismailgecaj

Mundje: Alban Neçaj (stili i lirë, pesha 65 kg), Eriglent Prizreni (stili greko-romak pesha 87 kg), Osman Hajdari (stili i lirë, pesha 74 kg) Trajner: Leonard Çakmashi

Not: Franc Aleksi (400 dhe 1500 metra stil i lirë), Nikol Merizaj (50, 100, 200 metra stil i lirë) Trajner: Jurgen Fici

Pingpong: Sadush Tosuni, Kamela Katillari Trajner: Gëzim Tosuni

Qitje: Arben Kuçana (10 metra ajër pistoletë), Henri Rufa (10 metra ajër pistoletë) Kristina Hanxhara (10 metra ajër pistoletë) Trajner: Diana Mata

Kanoe: Ervin Bushi, Daniel Lazaj Trajner: Edi Theka

Taekuondo: Elord Gjana (pesha 58 kg), Juirdo Cani (pesha 68 kg) Trajner: Julian Caca

Tenis: Mario Zili Trajner: Fatos Nallbani

Volejboll Femra: Arjola Prenga, Malvina Tuci, Erblira Bici, Joana Kushi, Xhozafa Sejfullai, Sava Thaka, Cezarina Xheka, Amarilda Sijoni Prenga, Esmeralda Tuci, Artiola Rexhepi, Sindi Marina, Izabela Dodani, Fatbardha Picaku

Trajnerë: Altin Martiri, Roland Tarja

Volejboll Meshkuj: Amarildo Deliu, Adri Arapi, Anis Çullhaj, Anton Qafarena, Asmend Kula, Kristi Bërdufi, Marjan Gjoklaj, Norgen Baruti, Osman Qefa, Redjo Koçi, Semir Dragoi, Renato Kola

Zv.trajnerë: Vasileios Mitrouidis dhe Dritan Bardhi.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.