Shqipëria në sytë e “të kuqit” Sakone: Ëndrrat me Partizanin, defektet tona dhe periudha e zezë me Moxhin

0

A mund të braktisë dikush Napolin për të kaluar te Partizani? As që bëhet fjalë, po të diskutohej për futbollistët e ekipit të parë, e imagjinoni dot Elseid Hysajn të vijë në këtë moment në Shqipëri?

Megjithatë, dikush e ka bërë: është Korrado Sakone, përgatitësi atletik i Partizanit, i cili në periudhën 2009-2015 punonte për Napolin dhe ishte një ndër personazhet më të rëndësishëm në klub, duke punuar krah Valter Mazarrit dhe Rafa Benitez.

Me të dy marrëdhënie të shkëlqyera, pasi Sakone ishte vendimtar me punën e tij, aq sa Napoli në atë kohë konsiderohej skuadra më e mirë në Serinë A për sa u përket rendimentit, shpejtësisë dhe dëmtimeve të pakta.

Kur Mauricio Sarri mori drejtimin e Napolit, në verën e vitit 2015, vendosi që të ndryshonte gjithçka, edhe përgatitësin atletik dhe Sakone bëri një periudhë pushim, sepse ishte ende nën kontratë. Më pas, një ftesë nga Partizani dhe Sakone tha “po”. Fundja Shqipëria është shumë pranë, futbolli në rritje konstante, paratë ishin të garantuara nga presidenti Demi, pse të mos e provonte?

Tani Sakone është kthyer në “shqiptar”, është mabientuar më së miri dhe për “RTSH Sport” ka dhënë një intervistë ku ka folur për gjithçka, jetën në Tiranë, familjen, Partizanin, shpresat për titull, problemet e futbollit shqiptar, krahasimin me futbollin në Itali dhe periudhën kur Partizanin e mori në dorë Luçiano Moxhi, i cili solli edhe Mark Julianon.

SHQIPËRIA – “Në Shqipëri kam gjetur një vend shumë interesant. Ngjason me jugun e Italisë. Nëse Napoli ka detin pranë, Tirana ka liqenin dhe unë jam afër liqenit. Janë vende të ngjashme, kështu që ndihem shumë mirë. Kalimi këtu erdhi fare thjesht, pasi njerëzit këtu janë të qetë e të edukuar dhe ambienti është miqësor. Jam ndjerë gati si në shtëpi. Kam krijuar miq të ngushtë, madje ime bijë është shpërngulur në Tiranë dhe vijon studimet këtu në universitet, një motiv më tepër për të gjetur qetësinë.”

PARTIZANI –
“Jam i lumtur që jam pjesë e Partizanit. Kam njohur presidentin Gaz Demi. Isha te Napoli, por u largova nga atje, pasi ekuilibrat u prishën dhe unë bëra zgjedhjen time. Presidenti u vu në dijeni dhe më thirri. Ramë dakord dhe vazhdoi aventura ime te demat. E njihja disi Partizanin. Është një skuadër me traditë e histori në Shqipëri dhe në Europën e dikurshme lindore, prandaj është nder që punoj për këtë klub.”

“Kur mbërrita te Partizani gjeta një skuadër me vullnet për të bërë mirë. Futbollistë që dëshironin të jepnin gjithçka, edhe pse dallova limite në shumë aspekte. Te Napoli ishte më e thjeshtë, pasi lojtarët të ndjekin të gjithë, mjafton një fjalë. Këtu është ndryshe, lojtarët të ndjekin, por më duhet ta them që ka më pak profesionalizëm. Ajo që ka rëndësi është që në fund të gjithë e kuptuan rëndësinë e punës dhe tani kuptohemi më thjesht”.


SEKRETI I TË KUQVE –
“Partizani po rritet shumë. Kemi lojtarë interesantë, që punojnë fort. Jemi stërvitur çdo ditë në Antalia dhe askush nuk qahej. Ka një dëshirë të madhe për të bërë mirë. Ekziston dëshira për t’ia dalë mbanë dhe për të arritur një rezultat të rëndësishëm. Nuk ka asnjë sekret, puna shpërblehet. Nëse punon fort, rezultatin e merr. Po punojmë mirë dhe grupi është i bashkuar, ky është sekreti i Partizanit. Mbi të gjitha është një klub që qëndron afër futbollistëve. Sekreti është eksperienca. Duhet të kuptosh nevojat e lojtarit. Duhet të kuptojmë që janë djem të rinj dhe dëshira e tyre për të sakrifikuar është minimale. Lojtarët duan të argëtohen dhe futbolli është një mënyrë, por e rëndësishme është që të gjesh ekuilibrin mes punës dhe argëtimit”.

FUTBOLLI SHQIPTAR – “Futbolli shqiptar është shumë ndryshe nga ai italian. Në Itali edhe si vlerë ekonomike ka ndryshim të madh. Përveç kësaj, diferenca dallohet dhe te niveli teknik. Këtu ka lojtarë vërtet interesantë. Futbolli këtu krijon më pak stres, është i ndjerë, por vështirësia mendoj që qëndron në nivelin teknik. Këtu duhet të përmirësohen parametrat. Në Itali futbolli është më tepër teknik dhe i kushtohet më pak rëndësi aspektit fizik, ndërsa këtu ndodh e kundërta. Do ju jap një shembull me Rafa Benitez. Nën drejtimin e tij gjithçka i kushtohej lojës me top, ndërsa në Shqipëri është krejtësisht e ndryshme”.

PUNA E SAKONES – “Metoda e punës time ka ndryshuar, pasi nuk punohet njësoj. Këtu punohet në fushë sintetike. Në Itali fushat artificiale janë diçka e rrallë, prandaj më është dashur të ul intensitetin e ushtrimeve fizike. Kjo ka qenë arsyeja që kam ndryshuar metodën, në mënyrë që të parandaloja dëmtimet”.

TRAJNERËT NË SHQIPËRI – “Kam punuar dhe me trajnerë të tjerë shqiptarë. Kanë mbetur disi në një koncept jo shumë modern futbolli, edhe pse arrijnë të mësojnë shpejt. Gega është një trajner i qetë dhe i sprovuar, por është dhe Mehmeti, një trajner i ri dhe shumë i aftë. Ndihem mirë me ta dhe kam ndërtuar një marrëdhënie punë shumë pozitive. Ka ende kohë, por Shqipëria po përparon në të gjitha kuptimet, natyrisht edhe për sa i përket trajningut.”

“Të them të drejtën, ndihem mirë me të gjithë. Këtu ka qenë një eksperiencë pozitive me çdo trajner që kam punuar, si me Starovën, Dalipin dhe Gegën. Julianon nuk po e përmend, pasi nuk kaluam një kohë të mirë.”

MARRËDHËNIET ME LOJTARËT – “Lojtarët më ndjekin, dikush më pak, dikush më shumë. Janë karaktere dhe personalitete të ndryshëm. Pjesa më e madhe të ndjek dhe të mbështet në punën tënde. Kritikat janë të pakta dhe në fund kur merr rezultatin të gjithë janë të lumtur. Secili prej tyre ka karakterin e vet, por menaxhimi duhet të jetë i ndryshëm. Në përgjithësi, lojtari që nuk është i kënaqur të krijon problem. Sjellja është e ndryshme, ai që është nuk i lumtur i kushtohet më tepër vëmendje. Kush nuk luan nuk mund të jetë i kënaqur dhe i duhet të stërvitet më tepër. Jam shumë i vëmendshëm ndaj lojtarëve që nuk aktivizohen.”

MOMENTI MË I KEQ – “Në fakt jo momenti më i keq, por më pak i lumtur këtu ishte kur erdhi Moxhi. Nuk kam asgjë kundër tij, por unë erdha i informuar në Shqipëri dhe studiova jetën këtu, kampionatin, ndërsa ai jo, prandaj nisën vështirësitë. Gjithashtu, dhe trajneri Juliano nuk i kishte marrë informacionet bazë për t’ia dalë mbanë dhe për t’u shprehur më mirë. Më pas ata u larguan dhe unë u riktheva të punoj në mënyrën time.”

ËNDRRA – “Jam optimist si natyrë. Mendoj se sot po punojmë mirë. Shpresoj të kontribuojmë të gjithë për rezultatin. Do të ishte një ëndërr për të arritur grupet e një kompeticion evropian. Mbase jo në Champions, sepse duket pak utopike, por kurrë mos thuaj kurrë”.

GARA PËR TITULL – “Për momentin jemi mirë. Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi 8 pikë jemi përpara dhe nuk janë shumë. Kampionati mund të përfundojë ashtu siç duam, por ndoshta dhe jo, nëse nuk qëndrojmë me këmbë në tokë. Shpresojmë ta fitojmë titullin. Është i rëndësishëm, pasi ka shumë vite që nuk fitohet. Për Sakonen ka rëndësi të fitojë klubi, pastaj përqindja e suksesit ndahet me të gjithë. Lojtarët kanë pjesën më të madhe, por unë jam thjesht një pjesë e së gjithës.”

Në fund, Sakone e mbyll me një shaka: “Olsi Rama, për shembull, nuk më ka shumë qejf”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

http://sportekspres.com/wp-content/uploads/2019/02/fotoblinibilta.jpeg