Shqipëria është gati, Panuçi projekton 11 “luftëtarët”

Shqipëria, në drejtimin e trajnerit Kristian Panuçi, kryen sot seancën e fundit stërvitore para ndeshjes me Turqinë. Kuqezinjtë zbresin nesër prej orës 20:45 në fushën e blertë dhe do kërkojnë ta nisin me fitore fazën kualifikuese të Euro 2020.

Italiani ndërkohë po mendon për formacion që do të zbresë në fushën e blertë. Pikëpyetjet janë të pakta. Nëse para grumbullimit Panuçit i duhet të mendohej për portierin që do e nisë titullar, tani nuk ka pse ta bëjë. Me Strakoshën e lënë jashtë, Etrit Berisha do të jetë mes shtyllave.

“Hysaj, Gjimshiti, Ismajli, mos më kërkoni t’ju tregoj më tepër”, deklaronte me humor Panuçi, që zbuloi mbrojtjen që në konferencën e së dielës. Kësaj tresheje i shtohet Naser Aliji. Mbrojtësi i majtë po luan rregullisht te Dinamo e Bukureshtit.

Mesfusha pritet të kthehet e zakonshmja. Abrashi e Xhaka garantojnë kilometra dhe luftë sportive për çdo kundërshtar, kurse asistet priten nga Ledian Memushaj. Me fanellën e Peskarës ka shërbyer 10 herë për shokët e skuadrës në Serie B.

Sulmi është konfiguruar në Nations League me Myrto Uzunin dhe Eros Grezdën nga krahët. Këta duken të paprekshëm, kurse në majë Armando Sadiku është i favorizuar përballë Bekim Balajt. Shkodrani erdhi i dëmtuar nga Rusia. Sulmuesi nga Elbasani pati një shqetësim të vogël dje, por nuk rrezikon dhe pritet titullar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *