Shqipëria e të rriturave ku thërret kiameti…!

0

 

Asnjë ndryshim nga katër vjet më parë, ndërsa na ka mundur Italia me diferencë prej 83 pikësh. E shumta e rivalitetit me të kaltrat minutat e para të periodës së parë, teksa ishim në avantazh 2-3, e më pas gjithçka për t’u harruar

Gjergj Vyshka

Itali – Shqipëri 121-38

(32-8, 29-11, 31-4, 29-15) 

Italia: Doto (12), Masciadri (6), Formika (2), Gorini (13), Maki (9)/Gati (8), Sotana (13), Nadalin (10), Bestanjo (17), Kripa (11), Konsolini (8), Zandalisini (12) Trajner: A.Kapobianko

Shqipëria: Zykaj (6), Bujari (7), Aliaj (3), Dashja, Mehmeti (3)/Përmeti, Sokoli, Lalaj (2), Gjoni (2), Llazar (9), Myrto (6), Berranija Trajner: E.Borova

Gjyqtarë: B.Vasalo (Maltë), I.Kucerova (Republika e Çekisë), S.Barmina (Portugali)

Shqipëria e basketbollit të femrave, e cila është rikthyer pas katër vjetësh mungesë, është shfaqur në kualifikueset e Evropianti 2017 ku thërret kiameti. Edhe pse është munduar trajneri Borova, së bashku me ndihmësen e tij Xhyra, për të bërë një ndërrim brezash, si dhe për të menduar për të ardhmen, duket se niveli i kampionatit vazhdon të mos japë asnjë garanci për nivelin ndërkombëtar. 127-33 na ka mundur para katër vjetësh Estonia, 118-35 Italia në Lojërat e Mesdheut “Peskara 2009” e përsëri tani 121-38. Që do të thotë se gjithçka ka mbetur në vendnumëro. Sepse vajzat duke luajtur me njëra-tjetrën jo vetëm në kampionat, por dhe në stërvitje, duket sikur vegjëtojnë dhe më pas në arenën ndërkombëtare kthehen në një zero të madhe. E dje na ka mundur Italia, që gjithsesi është e pritshme. Ashtu sikurse është e pritshme dhe me Britaninë e Madhe. Por një gjë e tillë mund të parashikohet edhe me Malin e Zi. Themi që po ndërtohen bazat e së ardhmes me para të rejat dhe të rejat, por kur dhe të rriturat në rezultate janë po në të njëjtin nivel do të thotë që basketbolli shqiptar ka mbetur në klasë dhe do kohë të rikthehet në nivelin ku kanë qenë. E në një farë mënyre nëse basketbolli i femrave shqiptare është në këtë nivel, nuk bën më shumë as ai i meshkujve, kjo nuk është për faj të vajzave, por të atyre që i kanë stërvitur dhe i stërvisin përditë. E për rrjedhojë ne jemi për turp, kurse kundërshtarët duke e pasur si një ndeshje stërvitore përballjen tonë lodhen duke bërë kosha…

Ndeshja – Në të vetmin moment që Shqipëria ka dalë për herë të parë dhe të fundit në avantazh ka qenë minuta e parë e periodës së parë, atje ku Bujari ka realizuar trepikësh. E pastaj Italia hyn në rrjedhën e saj normale derisa me një avantazh të pjesshëm 15-0 arrin të thellojë 18-3. E me një lojë racionale, pa tentativa për trepikësha, por duke hyrë në zonë e duke qenë të sakta në gjuajtjet për dy pikë. Aliaj ngarkohet shpejt me tre faulla. E tonat me shumë zor kanë arritur të shënojnë trepikëshin e dytë e në fund të periodës së parë Italia është në avantazh 32-8. Edhe të dytën e kemi nisur me trepikëshin e Zykajt. Por sërish Italia lëshohet si një “bishë” dhe me avantazhin e pjesshëm 15-0 thellon shpejt në 47-11. Përtej përpjekjeve të zymta të lojtareve tona në fund të periodës së dytë me avantazhin 29-11, Italia ka shkuar në dhomat e zhveshjes me avantazhin 61-19. Parë kundërshtarin Kapobianko jo vetëm që i ka dhënë mundësinë të gjitha vajzave për të luajtur, por shpejt ka bërë dhe ndërrimet. E rezervat duken më të etur se sa titullaret, aq sa perioda e tretë është 31-4 për Italinë, e cila thellon në 92-23. 29-15 është perioda e katërt e në fund me kokën ulur jemi larguar nga Luka me një humbje të turpshme prej 83 pikësh diferencë, 121-38. Që do të thotë se kjo kombëtare nuk premton asgjë të mirë në këto kualifikuese. Ndoshta ishte shumë e shpejtë pjesëmarrja e saj për të mos thënë e të gjithë basketbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Ajo që duhet evidentuar është se pikëshënueset më të mira të Shqipërisë kanë qenë Llazar me 9 pikë, Bujari 7 pikë, Myrto e Zykaj 6 pikë. Ndoshta dhe pesëshja titullare mund dhe duhet të ishte ndërtuar ndryshe. Madje sipas Federatës Evropiane të Basketbollit lojtarja më e mirë e kombëtares sonë ka qenë Artemida Myrto me 6 pikë të shënuara, 2 topa në tabelë dhe 1 pasim të saktë në sulm. Gjithsesi përtej hipotezave, e djeshmja ishte një turp i madh për shfaqjen e Shqipërisë së basketbollit të femrave në arenën ndërkombëtare.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.