Shqipëri-Serbi në Elbasan, me Shkodrën u luajt “bllof”

1

FSHF zyrtarizoi dje spostimin e ndeshjes së 8 tetorit në “Elbasan Arena”, po për UEFA-n kjo s’ishte ndryshim plani, por e vërteta që u mbajt e fshehur. Ja motivi i vonimit të punimeve…

 

Ndeshja Shqipëri- Serbi nuk do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës siç ishte premtuar, por në “Elbasan Arena”… Kujdes, kurrë nuk është planifikuar të luhet në Shkodër dhe këtu kanë nisur dyshimet e para, që kanë sjellë edhe zvarritje të punëve të firmave që fituan tenderin dhe që në dy javët e para, shkatërruan tribunën vjetër dhe pjestë e tjera jashtë impiantit,por që kur erdhi puna për ngritjen e strukturës së re, ngadalësuan si “breshka”. Atëherë, një pyetje farë e thjeshtë lind: cili ishte motivi se pse punëtorët e morrën shtruar dhe, gjatë punës, konsumonin edhe ndonjë birrë dhe kishin kohë të pushonin, teksa ndeshja me Serbinë po afronte? Këtë e zbulon më së miri UEFA, që gjatë gjihë kësaj kohe e ka ditur mjaft mirë se do të luhej në “Elbasan Arena” dhe në asnjë vend tjetër, duke u nisur nga fakti se “Loro Boriçi” smund të përfundonte në kohë dhe pa u testuar me ndonjë ndeshje tjetër të Kombëtares… Një dyshim shumë i madh, të cilin “Sport Ekspres”, në sajë të burimeve të saj, arriti ta përcillte më 14 maj, pra më shumë se dy muaj më parë: UEFA është tepër rigoroze kur vjen puna në çëshjte të tilla dhe Shqipëri-Serbi, pas asaj që ndodhi në Beograd, paraqet rrezik të lartë, saqë u mor në konsideratë edhe fakti që të luhej jashtë Shqipërisë… (një ide që menjëherë u hodh poshtë, për të mos krijuar indinjatën e tifozëve shqiptarë).

Deklarata – Në ditën e djeshme, në ambientet e FSHF-së, Jona Dervishi, zëdhënsja për shtyp dhe drejtoresha e marrëdhënieve me publikun në Federatë, komunikoi përpara medieve vendimin duke cituar deklaratën për shtyp: “Takimi Shqipëri-Serbi s’mund të luhet në Shkodër. Në lidhje me organizimin e ndeshjes eliminatore të kampionatit Europian “Francë 2016” që do të luhet në Shqipëri, FSHF informon se UEFA kërkon siguri të plotë dhe gjykon se ky takim nuk mund të zhvillohet në një stadium ku luhet për herë të parë.  “Loro Boriçi” duhet testuar fillimisht, teksa “ Stadiumi “Elbasan Arena” ka dhënë prova të sukseshme në aspektin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së përgjithshme të ndeshjeve. Sipas UEFA-s stadium i ri duhet testuar fillimisht në një miqësore të nivelit të lartë dhe pastaj mund të vazhdojë normalisht ndeshjet zyrtare ndërkombëtare” vijon deklarata. “Federata Shqiptare e Futbollit e mirëkupton shqetësimin legjitim të UEFA-s, duke patur parasysh specifikën e këtij takimi dhe shkallën e lartë emocionale të krijuar rreth saj për shkaqe që dihen. Për këtë arësye, ajo vendosi që takmin Shqipëri – Serbi, ta organizojë në “Elbasan Arena”. Ndërkohë në muajin nëntor, FSHF, do të sigurojë një miqësore të nivelit të lartë në Shkodër. Ndërkohë Federata SHqiptare e Futbollit ka nisur punën me agjensitë ligjzbatuese për të siguruar plotësisht, ecurinë normale të kësaj ndeshjeje”.

Takimi “i mbyllur” – Dy ditë më parë, drejtuesit më të lartë të institucioneve të sigurisë u mblodhën në kryeministri, ku në këtë takim ishin të pranishëm ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika dhe kreu i FSHF-së Armando Duka. U përfol se u bisedua për masat e sigurisë, për kartat e identitetit bashkë me biletat, apo edhe rendin, por askush nuk e di me saktësi se çfarë është vendosur dhe nëse në atë mbledhje u përcaktua që shqiptarët të njihnin një të vërtetë që UEFA e dinte prej kohësh, ashtu si edhe vetë Federata Shqiptare e Futbollit, por që shpresonte që gjërat të ndryshonin…

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here