Shqipëri-Norvegji i bashkon futbolli, Omdal: Sa shumë ndryshime

FSHF fillon bashkëpunimin me NFF (Fedearata e Futbollit të Norvegjisë) dhe Qeverinë norvegjeze për rritjen e futbollit të femrave. Ish-zëvëndëspresident i UEFA-s dhe Federatës Norvegjeze të Futbollit, Ravn Omdal, sot vizitoi FSHF-në në kuadër të një fushate të ndërmarrë nga qeveria norvegjeze dhe Federata e futbollit nordik për rritjen e numrit të femrave që angazhohen me futbollin në rajonin e Ballkanit.

Ky projekt shumë interesant do të shtrihet edhe në Kosovë, Maqedoninë Veriore, Bosnje Hercegovinë, Serbi dhe Malin e Zi. Omdal u prit në një takim nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, me të cilin diskutuan në lidhje me projektin e tyre për trajnimin e rreth 120 trajnereve të futbollit të femrave në vitet 2019-2021.

“Duhet të them se është fantastike të shohësh progresin që ka bërë ky vend. Kam ardhur për herë të parë në Shqipëri në 1992 dhe jam rikthyer në vitin 1997, kur Shqipëria luante kundër Norvegjisë në ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës. Më kujtohet situata në të cilën gjëndej Shqipëria dhe tani jam shumë i lumtur kur shikoj sa shumë kanë ndryshuar gjërat në këtë vend. Ndoshta Norvegjia është disa vite para Shqipërisë përsa i përket futbollit të femrave, por tashmë jemi partnerë me FSHF-në dhe do mundohemi të zhvillojmë veçanërisht futbollin e femrave”, theksoi mes të tjerave në këtë bisedë Ravn Omdal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *