Shqipëri-Kosovë në një duel miqësor për Kupën e Pavarësisë

0

 

Kuqezinjtë kanë zgjedhur ajkën e qitësve për të mbyllur sa më pozitivisht aktivitetin e fundit të vitit. Mes pjesëmarrësve në pistoletë edhe i riu Henri Rufa, i cili për moshën që ka premton për të ardhmen

Gjergj Vyshka

Poligoni i Klubit shumësportësh Studenti, që mban emrin e një figure legjendë të sportit shqiptar në tërësi, por dhe qitjes në veçanti si Rexhep Ramaj, është bërë përsëri arena e një takimi Shqipëri-Kosovë. Është takim i përvitshëm, që ka brenda dhe shkëmbimin dypalësh, pasi tanët janë të ftuar gjithnjë në Kupën e Pavarësisë së Kosovës, që zhvillohet më 17 shkurt. Si numër pjesëmarrësish, të paktën edhe sipas statistikës që jep sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Qitjes, Koço Mikerezi, kanë qenë 44 qitësa në katër disiplina; pistoletë meshkuj dhe femra, pushkë meshkuj e femra. Kosova jo vetëm që ka ardhur me 11 qitësa, por në delegacionin prej 20 vetësh ka pasur brenda dhe gjyqtarët, ashtu sikurse dhe presidentin e sekretarin e Federatës. Ndërkohë në 33 qitësa tanë kanë qenë pjesëtar të klubeve Tirana, Studenti, Flamurtari, Tomori, Elbasani, por dhe Teuta. Sepse Arben Kuçana, pretendent kryesor për të realizuar normën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, është i federuar me Teutën. Rezultati i tij i djeshëm, jo vetëm sipas presidentit Rufa, por dhe sipas Kuçanës nuk ka qenë ndër më të mirët. “Unë në qendër të vëmendjes – ka thënë Kuçana për mediat sportive – kam pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të shkurtit, atje ku pres të realizoj normën e kualifikimit. Mund të ketë edhe pjesëmarrës të tjerë në këtë Evropian, por unë jam i sigurt që do të marrë pjesë dhe do të kualifikohem”. Sakaq për Rufën pjesëmarrja, apo dhe mbyllja e aktivitetit të fundit të vitit ka qenë i kënaqshëm. “Nuk është pak të jenë 40 qitësa në një aktivitet. Ne besojmë se i kemi bërë një mbyllje të mirë këtij aktiviteti dhe vitit gjithashtu e shpresojmë që më 2016-ën të kemi edhe rezultate më të larta”. Po në të njëjtën kohë edhe për sekretarin e përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Qitjes, Koço Mikerezi, pjesëmarrja ka qenë shumë cilësore. “Pjesëmarrja më e madhe ka qenë në qitje me pistoletë ajër për meshkuj. Jo pak, por 19 pjesëmarrës. Një aktivitet i përbashkët që rrit bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit, por mbi të gjitha shton dhe vëllazërinë”, ka nënvizuar Mikerezi, kurse aktiviteti ka pasur dhe organizimin shumë të mirë të klubit shumësportësh Studentin. Për t’u evidentuar është dhe i riu Henri Rufa, 18-vjeçari i cili ka marrë pjesë në garën e qitjes me pistoletë ajër, ndërsa duket se është një sportist që i përket së ardhmes. Kështu është mbyllur kupa e Miqësisë Shqipëri-Kosovë për t’u rikthyer në mesin e shkurtit në Prishtinë.

Kujtohet Zalo Hoxha

Kupa e Miqësisë Shqipëri-Kosovë ka nisur me një minutë heshtje në kujtim të qitësit të Studentit, Zalo Hoxha, i cili u nda nga jeta përpara dy javësh, teksa pat marrë pjesë në Kupën “Rexhep Rama”. Madje duke zënë vendin e tretë në garën e pistoletës. Edhe duke qenë se ishte pjesëmarrës i rregullt në garat e qitjes, pavarësisht moshës së tij 65-vjeçare, një sportist që po dilte në pension me sportin e poligonit, atëherë është mbajtur një minutë heshtje në shenjë kujtim për gjithçka që Zalo Hoxha dha për qitjen shqiptare

Rezultatet teknike të Kupës së Miqësisë Shqipëri-Kosovë

Pistoletë Femra

  • Aida Mustafaj (Studenti) 369 pikë
  • Marjana Mata (Tirana) 365 pikë
  • Lumturi Rama (Kosovë) 363 pikë

Pistoletë Meshkuj

  • Agim Rama (Flamurtari) 572 pikë
  • Nexhat Sahipi (Kosovë) 565 pikë
  • Arben Kuçana (Teuta) 559 pikë

Pushkë Femra

  • Dhurata Rama (Kosovë) 379 pikë
  • Lumturi Pepa (Studenti) 369 pikë
  • Valbona Tuci (Studenti) 367 pikë

Pushkë Meshkuj

  • Drilon Ibrahimi (Kosovë) 561 pikë
  • Gani Avralliu (Kosovë) 547 pikë
  • Olsi Avllazagaj (Elbasani) 545 pikë
SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image