Shqipëri, ki kujdes! Trajneri i Francës U-21 tregon taktikën që mund të përsëritet edhe ndaj Rejës

Shqipëria pësoi humbje në betejën e parë kundër Francës në një miqësore të zhvilluar mbrëmjen e djeshme, pasi Shpresat e këtyre të fundit mposhtën me shifrat 4-0 ekipin e Alban Bushit. Megjithëse një rezultat i thellë në dukje, nuk pasqyron më së miri atë çfarë u pa në fushën e lojës. 21-vjeçarët e Shqipërisë po mbyllnin mirë hapësirat pas dhe po kombinonin mjaft mirë në mbrojtje, madje edhe goli i parë për francezët do të vinte në fund të pjesës së parë nga pika e bardhë e penalltisë.

Trajneri i bluve deklaroi në lidhje me sfidën e mbrëmshme se lojtarët e tij luajtën me seriozitet dhe se e vlerësonte kundërshtarin, pasi nuk ishte e lehtë t’i krijoje hapësira në prapavijë. Këto fjalë i ka përforcuar edhe sulmuesi Adelaide, i cili u shpreh se nuk mund të kalonte mbrojtjen kundërshtare dhe se e vetmja mënyrë ishte nga 11 metërshi, me një penallti që ai vetë e quajti të provokuar. Kjo pasi edhe në atë aksion nuk kishte të ardhme më shumë, për të rrezikuar portën e Selmanit, por vetëm duke tentuar një penallti që u fitua me sukses.

E gjithë skena e atyre 90 minutave që u pasqyruan në ditën e djeshme, shërben edhe si një alarm për Kombëtaren e Rejas. Sado mirë të jetë ideuar mbrojtja, çarja në prapavijë do të vijë në një moment ose tjetër. E vetmja mundësi shpëtimi mbeten kundërsulmet efektive. Kjo ishte dhe filozofia e Francës e thënë nga trajneri i U-21, Ripoll, se ndeshje të tilla zgjidhen gjithmonë vetëm në një mënyrë:

“Bëmë një ndeshje serioze kundër një kundërshtari të vështirë për t’u thyer, pasi është shumë i ngjeshur pas. Ne e nisëm duke vendosur ritmin edhe pse nuk e gjetëm hapësirat në pjesën e parë. Ashtu si ndodh në këto ndeshje, kur vazhdojmë të jemi serioz, t’i bëjmë gjërat në mënyrën e duhur, koha punon për ne. Sapo hapësirat krijohen, mund të futesh dhe të bësh diferencën. Ky skenar nuk ishte i lehtë, nuk ishte i tillë deri sa mbrojtja u thye”,  u shpreh Ripoll. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *