Shqipëri-Francë/ Gjithçka lidhet me 17 nëntorin, Bogdani dhe Cikalleshi gjahtarët e vetëm

Nisi pikërisht më 17 nëntor të vitit 1990. Asokohe kombëtarja e Shqipërisë drejtohej nga  trajneri i ndier Agron Sulaj. Emra si Sokol Kushta, Mirel Josa, Sulejman Demollari e të tjerë, do të prisnin për të parën herë në Tiranë ekipin e Francës. Në stadiumin “Qemal Stafa” ishin ulur 12.972 tifozë për të ndjekur me mjaft emocione ndeshjen e Europianit 1990 mes dy ekipeve kombëtare. Franca drejtohej në ato vite nga Michel Platini, teksa për herë të parë në Tiranë shkelte edhe Didier Deschamp si titullar ndaj Shqipërisë. Ndërsa nesër, Deschamp zbret si trajner i ekipit që e solli për të parën herë na Tiranë. Që nga ajo kohë shumë e shumë gjëra kanë ndryshuar. E shumë e shumë breza kanë shkuar.

Franca ka bërë kërdinë ndaj Shqipërisë. Në gjashtë ndeshje zyrtare, ka po aq fitore, ndërsa kuqezinjtë mbajnë mend vetëm golat e shënuar ndaj gjelave. Teksa i numërojmë me gishta, Bogdani ishte shënuesi i golit të parë në historinë kundër Francës, në ndeshjen e 2 shtatorit 2011. Rezultati u mbyll në “Qemal Stafa” me shifrat 1-2. Për të rikujtuar golin e fundit, ai i Sokol Cikalleshit. Sulmesi aktual i kombëtares shënoi golin e nderit në takimin e fundit të luajtur në Francë ku u mundëm thëllë dhe lehtësisht, 4-1.

Por të mbërrijmë tek dita e nesërme, 17 nëntor. Franca zbret sërish në Tiranë, 29 vite nga hera e parë dhe një stadium i ri mikpritës për kampionët e Europës do të jetë mirë se ardhja jo vetëm e Francës por edhe yjeve botëror që do të shkelin në “Air Albania Stadium”. Në kushtet kur Franca është e kualifikuar, ndërsa Shqipëria mbeti jashtë që në ndeshjen me Turqinë, dy kombëtareve u mbetet shumë pak për të ndryshuar në renditje. Të paktën nëse gjelat do të tregohen pak më tepër tolerantë në lojën e tyre, Shqipëria mund ta mbyll këtë aventurë me një buzëqeshje./Sport Ekspres/

https://www.youtube.com/watch?v=1C7wEW_VBEA