Shqetësohet Milinkoviç, Zeqiri humbet Lushnjen

Mesfushori vlonjat pritet të mungojë në ndeshjen me Lushnjen. Gjendja e fushave bëhet shkak për një tjetër dëmtim

Jurgen Zela

Java e pestë rezervon një përballje interesante për Kukësin, që do të sfidojë Lushnjen. Vendasit rikthehen në fushën e tyre me moralin lart, çka bën që për Kukësin të rritet ndjeshëm shkalla e vështirësisë.. Verilindorët janë të dënuar për t’u rikthyer te fitorja pas humbjes në shtëpi me Skënderbeun. Vetë presidenti Safet Gjici ua ka bërë të qartë të tijve se duhet kthesa e menjëhershme, pasi tashmë korçarët janë tre pikë para tyre.

DËMTIMET – Përveç anës psikologjike, ku stafi teknik duhet të bëjë që sa më parë lojtarët ta harrojnë atë humbje në Kukës, që vinte pas më shumë se një viti e gjysmë në shtëpi. Trajneri Milinkoviç është me sy e veshë nga stafi mjekësor, nga ku pret lajme të mira. Ylli Shameti ka ende shqetësime në këmbë dhe vijon me intensitet fazën e rikuperimit, por duket e vështirë që të jetë në fushë me Lushnjen. Gjithashtu edhe sulmuesi Elis Bakaj është në luftë me kohën për të lënë pas dëmtimin që mori në ndeshjen e fundit. Situata për kryeqytetasin duket më e mirë dhe shanset janë që të luajë përballë Lushnjes, por ende 30-vjeçari nuk është bashkuar me ekipin. “Timonieri” i Kukësit ka marrë një tjetër lajm jo të mirë, që e bën jo pak me dhimbje koke. Hair Zeqiri ka qenë mungesa e madhe në seancën e djeshme, teksa vlonjati ka shfaqur probleme dhe me shumë gjasa nuk do të jetë i gatshëm për takimin e kësaj jave. 28-vjeçari ka probleme në kofshë, një shqetësim  që vjen edhe prej stërvitjes në fushë me bar artificial. Mungesa e vlonjatit kushtëzon zgjedhjet e stafit teknik, që ka afruar në ekip së fundmi edhe të riun Kristi Joti, që së bashku me Koldashin janë alternativa të Musollit dhe Kërkotiç.

PËRGATITJET

Përgatitjet në kampin e kampionëve vijojnë me ritëm të lartë, ku për të tretën ditë radhazi janë aplikuar sërish dy seanca stërvitore. Paradite lojtarët kanë zhvilluar një seancë në palestër, ndërsa pasdite kanë zbritur në tapetin e fushës së kompleksit “Internacional” në Pezë-Helmës. Lojtarët po gëzojnë një formë të mirë, por duke nisur që nga sot pritet që ritmi të ulet, pasi ndeshja e radhës me Lushnjen luhet ditën e enjte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *